AktualitetPolitikëRajoniTë fundit

Dialogu Kosovë-Serbi, Rama: Plani franko-gjerman, mundësi e shkëlqyer

Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot planin e ri franko-gjerman që u është ofruar Kosovës dhe Serbisë, një mundësi të shkëlqyer, jo vetëm për dy vendet, por edhe rajonin dhe vetë Evropën.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kancelarin Olaf Scholz, në Berlin, Rama tha se ka ardhur koha që ta shikojnë edhe si një kontribut të rëndësishëm në të arkitekturën evropiane të sigurisë.

“Plani i ri franko-gjerman që u është ofruar Kosovës dhe Serbisë është mirëfilli një mundësi e shkëlqyer, jo vetëm për këto dy vende, por edhe për rajonin dhe Evropën. Shpresoj fort që të dy palët ta marrin seriozisht dhe që të dy palët do të kuptojnë, se ka ardhur koha që ta shikojnë edhe si një kontribut të rëndësishëm në tërë arkitekturën evropiane të sigurisë”, tha ai.

Gjermania dhe Franca kanë hedhur së fundmi në tryezë një marrëveshje për të normalizuar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Kancelari Scholz tha se konfliktet dypalëshe në Ballkanin Perëndimor duhen zgjidhur.

“Sa u takon Serbisë dhe Kosovës, edhe për to vlen e njëjta gjë, duhet të arrihet një marrëveshje. Ne dhe qeveria franceze, Komisioni Evropian, po bëjmë të pamundurën që të realizojmë një gjë të tillë. Jemi përfshirë në mënyrë shumë aktive në bisedime me të dyja palët. Shpresojmë që shumë shpejt do të vijmë në një proces ku të dyja qeveritë do të ecin përpara dhe ku të arrihet një mirëkuptim”, tha Kancelari gjerman.

Ndërkohë edhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen, e ka konfirmuar propozimin franko-gjerman.

Von der Leyen tha se kjo është diçka për të cilën duhet të bëhet durim dhe duhen bërë shumë përpjekje.

“Shpresojmë që shumë shpejt do të shohim një rezultat pozitiv”, deklaroi ajo.

 

Fraksion.com