AktualitetBota+Të fundit

Zelensky i kërkon Italisë sistem të mbrojtjes ajrore

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka kërkuar nga Italia sistem të mbrojtjes ajrore kundër sulmeve ajrore të Rusisë.

Në një intervistë për gazetën italiane ”Corriere della Sera”, Zelensky foli për rrjedhën e luftës dhe zhvillimet ndërkombëtare. Ai tha se kanë “krijuar një marrëdhënie të shkëlqyer” me Giorgia Melonin, e cila u bë kryeministre e Italisë pas Mario Draghit dhe të cilën Zelensky tha se e ftoi për vizitë në Kiev.

“Ne kemi nevojë për sistem të mbrojtjes ajrore. Kjo është jetike për ne. Ne duam që refugjatët tanë të kthehen në Ukrainë. Ne duhet të rindërtojmë ekonominë tonë, fëmijët duhet të shkojnë në shkollë, shoqëria duhet të kthehet në normalitet. Për këtë shkak ne kemi nevojë për armë për t’i rezistuar sulmeve dhe për të garantuar sigurinë e civilëve. Italia prodhon sisteme të mbrojtjes ajrore së bashku me Francën dhe Gjermaninë. Shpresojmë që ata të mund të na ndihmojnë”, tha Zelensky.

Më tej, Zelensky theksoi se Kina nuk e mbështet ushtarakisht Rusinë në këtë luftë dhe se kjo është e rëndësishme.

“Shpresoj se Pekini ka kuptuar seriozitetin e veprimeve ruse, nga kërcënimet ndaj termocentraleve bërthamore deri te bllokimi i Detit të Zi. Sigurisht, nëse Kina bën thirrje për të ndaluar luftën, kjo do të dëgjohet nga Moska”, u shpreh ai.

Kur u pyet për qëndrimin e Iranit në luftë, presidenti ukrainas tha, “Më vjen keq, por fatkeqësisht është e qartë se Teherani u ka ofruar rusëve qindra dronë dhe mijëra tjera janë rrugës”.

Duke kujtuar se Teherani e mohon këtë, Zelensky tha, “Ne sigurisht kemi prova për këtë. Ata gjithashtu e dinë këtë. Ne duam që ti japin fund menjëherë kësaj”.

Rreth deklaratave të ish-kryeministrit italian, Silvio Berlusconi, se presidenti rus, Vladimir Putin, është detyruar të hyjë në luftë, presidenti Zelensky tha se, “Berlusconi përdori narrativën e Putinit. Unë nuk i pashë pikëpamjet personale të Berlusconit. Vetëm 8 për qind e italianëve votuan për këtë person. Kjo është përgjigja e votuesve që mua më mjafton kjo. Ai është gati 90 vjeç, i uroj mirësi atij”.

 

Fraksion.com