Forcat ukrainase rimarrin kontrollin e një zone kritike në verilindje të vendit
Moska braktisi të shtunën bastionin e saj kryesor në vijën e frontit në verilindje të Ukrainës pasi zyrtarët ukrainas thanë se trupat ukrainase kishin bërë përparime të konsiderueshme në kundërofensivën ndaj forcave ruse dhe se u kishin ndërprerë atyre furnizime jetike.
Agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass citoi ministrinë ruse të mbrojtjes të thoshte se kishte urdhëruar trupat të largoheshin nga zona përreth qytetit Izium të rajonit të Kharkivit, për të përforcuar operacionet ushtarake në Donetskun fqinj.
Njoftimet e zytarëve ukrainas pasojnë disa ditë përparime të dukshme nga Ukraina në jug të Kharkivit, qyteti i dytë më i madh i vendit, të cilat kanë gjasa të kthehen në suksesin më të madh në fushën e betejës për forcat ukrainase që kur ato frenuan një përpjekje ruse për të kapur kryeqytetin e Kievit në fillim të luftës gati shtatë mujore.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleh Nikolenko la të kuptohej se trupat ukrainase kishin rimarrë Kupianskin, një qytet përgjatë korridorit kryesor të furnizimit për në Izium, ku luftimet kanë qenë të ashpra.
Zoti Nikolenko postoi në Twitter një fotografi që tregon ushtarët e Batalionit të 92-të të Ukrainës përpara një ndërtese qeveritare që ai tha se ndodhej në Kupiansk, 73 kilometra në veri të Izyumit.
Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës, i njohur si SBU, disa orë më vonë postoi një mesazh që tregonte forcat e tij në Kupiansk. Ushtria ukrainase nuk e konfirmoi menjëherë hyrjen në qytet, një qendër hekurudhore të cilën Rusia e mori nën kontroll në shkurt,.
Më herët, ministria Britanike e Mbrojtjes tha se besonte se ukrainasit kishin avancuar deri në 50 kilometra në jug të Kharkivit, në Ukrainën verilindore, duke shtuar se forcat ruse rreth Izyumit ishin “gjithnjë e më të izoluara”.
Ushtria britanike tha se forcat ruse ka të ngjarë të jenë kapur në befasi dhe njësitë ukrainase kanë kapur ose rrethuar disa qytete.
Ajo shtoi se edhe qyteti fqinj Kupiansk dukej të ishte nën presion nga forcat ukrainase dhe se humbja e kontrollit të tij nga forcat ruse do të ndikonte ndjeshëm në linjat e furnizimit të tyre në atë zonë./voa
Fraksion.com