Borrell kërkon kompromis për çështjen e vizave për rusët
Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u bëri thirrje 27 shteteve anëtare që të gjejnë kompromis dhe të lënë pas inatet, teksa blloku po debaton nëse duhet të ndalojë lëshimin e vizave turistike për rusët, si sanksion për pushtimin e paprovokuar rus të Ukrainës.
Duke folur për gazetarët më 31 gusht pasi arriti në ditën e dytë të takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Pragë, Borrell tha se “ne duhet të arrijmë një marrëveshje dhe një vendim politik”.
“Do të punoj për unitet…. Ne nuk mund të lejojmë që të dukemi të përçarë për një çështje kaq të rëndësishme, që ka të bëjë me raportet midis njerëzve, midis shoqërisë ruse dhe popullsisë evropiane”, tha ai.
Çështja e kufizimit të vizave për rusët është aktualizuar ditëve të fundit nga disa shtete të bllokut, por që të arrihet një marrëveshje duhet vendim unanim i të 27 shteteve të bllokut. Më pas ky vendim do të bëhej sanksioni më i ri kundër Rusisë për shkak të pushtimit të saj të paprovokuar të Ukrainës.
Shtetet që ndajnë kufirin me Rusinë – shtetet e Baltikut, Polonia dhe Finlanda – kanë udhëhequr kauzën për vendosjen e një ndalese kufizuese mbi vizat për turistët rusë. Për shkak të sanksioneve të BE-së për fluturimet nga Rusia, shumica e udhëtarëve përdorin kufijtë tokësorë për të udhëtuar në shtetet e BE-së.
Një marrëveshje e vitit 2007 për lehtësimin e kritereve për vizat në BE për rusët, u pezullua përkohësisht në fund të shkurtit, duke shënjestruar njerëzit e afërt me presidentin rus, Vladimir Putin, sikurse delegacionet zyrtare ruse dhe poseduesit e pasaportave diplomatike.
Por, nga sanksionet u përjashtuan “rusët e zakonshëm” të cilët ende vazhdojnë të gëzojnë nga përftimet lehtësuese të kësaj marrëveshjeje, sikurse reduktimi i kohës dhe kostos së vizës, por edhe paraqitja e më pak dokumenteve për aplikim.
Gjermania dhe Franca kanë thënë se kufizimi i vizave për rusët do të ishte kundërproduktiv, teksa BE-ja tenton të fitojë “zemrat dhe mendjet” e atyre rusëve që nuk e mbështesin agresionin e Moskës kundër Ukrainës.
Kievi i ka bërë thirrje bllokut që të ndalojë lëshimin e vizave për të gjithë rusët, përveç disidentëve politikë.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, tha për Radion Evropa e Lirë më 30 gusht se “cilësimi i kësaj lufte si ‘problem i Putinit’ dhe jo problem i shoqërisë ruse që më së shumti e mbështet presidentin e saj, është vetëmashtrim”.
Të 27 shtetet e bllokut duhet të pajtohen në mënyrë që masa për kufizimin e lëshimit të vizave të mund të aplikohet në të gjitha shtetet e BE-së./rel
Fraksion.com