Rama, vizitë në Turqi me ftesë të Erdoğan
Kryeministri Edi Rama mbërriti sot në Konya të Turqisë, me ftesë të presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan për ceremoninë e hapjes së Lojërave të Solidaritetit Islamik, ku merr pjesë edhe skuadra olimpike shqiptare.
Gjatë vizitës në Turqi, Kryeministri Rama do të zhvillojë edhe një takim të rëndësishëm pune në Ankara mbi ecurinë e projekteve të bashkëpunimit.
Turqia mirëpret nga data 9 deri më 18 gusht edicionin e 5-të të Lojërave të Solidaritetit Islamik, event që u shty një vit më parë për shkak të spostimit të Lojërave Olimpike Verore prej situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.
Në këtë edicion marrin pjesë 55 shtete, me një numër total prej 6000 sportistësh, të cilët do të konkurrojnë në 380 evente në 19 disiplina sportive.
Shqipëria do të konkurrojë me 13 sportistë, në disiplina si atletika, çiklizmi, karateja, mundja, noti, pingpongu, taekwondoja dhe xhudoja.
Fraksion.com