Rruga e Rinasit me një sens, banorët bllokojnë rrethrrotullimin pranë aeroportit
Banorët e zonës përreth Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” vijuan sot për të tretën ditë protestën kundër vendimit të Autoritetit Rrugor Shqiptar për qarkullimin vetëm në një sens të rrugës që të çon drejt Rinasit.
Banorët bllokuan rrethrrotullimin e Rinasit, ndërsa shprehen se një vendim i tillë i pengon ata në lëvizjet e tyre të përditshme për në punë apo shkolla të fëmijëve.
“Këtu penalizohen jo vetëm tre fshatra, por dhe gjithë qytetarët e Veriut që i drejtohen aeroportit. Ne nuk shkojmë dot te tokat tona bujqësore, nuk çojmë dot fëmijët në shkollë, nuk shkojmë dot në qendrat shëndetësore”, u shprehën banorët.
Një ditë më parë kreu i ARRSH-së, Evis Berberi tha se kjo ishte një zgjidhje e përkohshme në prag të sezonit turistik dhe se banorët mund të përdorin edhe rrugicat.
“Kjo rrugë ka fluks trafiku për shkak të turistëve të shumtë, dhe gjatë sezonit turistik veror fluksi pritet të shtohet me 30 %. Ka rrugica që mund të përdoren nga komuniteti aty për të lëvizur”, tha Berberi.
Kreu i ARRSH-së siguroi se pas sezonit turistik veror do ketë zgjidhje definitive.
“Nuk do zgjerohet rruga, por po punojmë për të pasur një rrugë alternative që presim ta përfundojmë deri në përfundim të sezonit”, deklaroi Berberi. Ai shtoi se tenderi për rrugën alternative do hapet këtë muaj.
Fraksion.com