A do të rikthehen të larguarit nga PD?
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi së fundmi se figurat e njohura politike të cilat janë larguar në 8 vitet e fundit nga Partia Demokratike janë të mirëpritur të rikthehen në parti.
Ai tha se mund të rikthehet Jozefina Topalli, Arben Imami, Astrit Patozi, Rudina Hajdari dhe Majlinda Bregu.
“Do të ketë një listë që do t’i dërgohet Kuvendit për zgjedhjen e Këshillit Kombëtar. Ka emra të tillë, në këtë listë për shembull është Arben Imami, Jozefina Topalli kthehet jo vetëm me listë por si të dëshirojë, ex officio.
Bregu dhe Patozi? Zonja Bregu është në një funksion… nuk e di a e lejojnë. A do të ketë një ftesë? Sigurisht që do të ketë. Patjetër që është e hapur, edhe z. Patozi, edhe Rudina Hajdari, e cila u largua dhe u kthye. Të gjithë ata që për një motiv apo për një tjetër janë larguar janë të mirëpritur” – tha Berisha.
Por, cilat kanë qenë qëndrimet e këtyre figurave deri më tani, pas situatës së krijuar në PD muajt e fundit?
Astrit Patozi
Astrit Patozi është i pari nga lista që përmendi Sali Berisha që ka refuzuar hapur ftesën e ish-kryeministrit për t’u rikthyer.
“Faleminderit, por nuk jam në kërkim…Meqë më paska dalë emri mbrëmë dhe media është shprehur shumë e interesuar, e gjeta të udhës të jap një përgjigje të shkurtër.
Faleminderit që na kujtojnë ende, por unë nuk jam në kërkim të ndonjë partie. Aq më pak të atij lloji, që janë katandisur si mos më keq nga drejtimi i gabuar për një kohë të gjatë dhe të pandërprerë.
Ndihem shumë rehat sot me jetën dhe lirinë time, ndërkohë që për asnjë çast në këtë botë nuk kam menduar se politikë bëhet vetëm brenda një partie dhe vetëm rrotull një udhëheqësi legjendar dhe të pagabueshëm.
Por meqë ftesa verbale për “dasëm” qenka bërë pas mesit të natës, kujtoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe 5 vjet më parë, kur na larguan. Natyrisht, pa votë dhe pa mbledhje forumesh politike.
Të paktën, orën mund ta kishin ndërruar. Se në dorë vetë e kishin, si atëherë edhe tani” tha ai.
Rudina Hajdari
Pas rikthimit nga SHBA, Hajdari ka vendosur që të rikthehet në Partinë Demokratike. Ish-deputetja deklaroi për mediat se ka ardhur në Shqipëri për zgjidhjen e krizës brenda partisë, ndërsa konfirmoi se kishte kryer edhe rianëtarësimin në PD.
Teksa beteja brenda PD vijon ende, Rudina Hajdari e ka të qartë se cilin krah mbështet.
“Ndryshimet që kanë ndodhur në statut, në kongresin e 11 dhjetorit, shikoj që pesha më e madhe i jepet anëtarësisë, kështu që risitë që sjell ky lloj statuti i ri do japin ndryshim rrënjësore për PD, që mos përsëriten më gabimet e së kaluarës. Ky statut i jep më shumë peshë anëtarësisë dhe i dobëson rolin kryetarit të partisë. Këto lloj ndryshime që ka miratuar gjykata janë ndryshime të shëndetshme”, tha ajo.
Jozefina Topalli
Ish-kryeministri Sali Berisha ka bërë me dije se ish-nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli do të rikthehet sërish në parti.
Sipas Berishës, Topalli do të jetë anëtare e Këshillit Kombëtar, duke shtuar se brenda Partisë Demokratike do të rikthehen të gjithë vlerat.
Topalli ka mbështetur hapur fushatën e Berishës nëpër rrethe, jo vetëm e vetëm ngaqë njihet si kundërshtare e Lulzim Bashës.
Arben Imami
Ish-ministrit i Mbrojtjes, një nga figurat më të shquara të së djathtës, i cili u la jashtë angazhimeve nga Lulzim Basha u rikthye për të drejtuar grupin e punës në kryeqendrën e veriut, në Shkodër në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Koalicioni “Shtëpia e Lirisë” ia besoi Imamit, drejtimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e në Bashkinë e Shkodrës.
Majlinda Bregu
Ish-deputetja e Partisë Demokratike Majlinda Bregu, një nga emrat e lene jashte listave në zgjedhjet e 2017, e cila aktualisht mban postin e Sekretares së Përgjithshme të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal është një tjetër emër të cilës iu bë ftesë për rikthim në PD nga Berisha.
Marrja e një posti të rëndësishëm nga ish-ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, për ish-kryeministrin Sali Berisha është thjesht një zgjedhje e saj. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në Neës 24, Berisha deklaroi marrëdhënien që ruan ende me ish-ministren e kabinetit të tij, pa dashur të komentojë zgjedhjet e saj në jetë.
Pak ditë para dorëheqjes së Lulzim Bashës, Bregu, komentoi situatën në PD. Në një intervistë për A2CNN, Bregu deklaronte se e kishte paralajmëruar situatën ku gjendej PD.
“Ju pata paralajmëruar që këtu do të mbërrijmë. Në rregull, edhe kjo të kënaqi për një orë… Ja ta thanë të gjithë të tjerët, po ti nga e dije? Po si e ke thënë? Po ja si ndodhi. Po se karma ka punën e vet, nuk ngatërron adresë asnjëherë.
Domethënë, i kam dëgjuar të gjitha këto gjatë këtyre muajve. Pastaj ndalon dhe thua, unë paskam pasur të drejtë, Jozefina, paska pasur të drejtë, Ridvani, Astriti po ashtu. Paskan pasur që të gjithë të drejtë. Por çfarë bëmë ne të gjithë që kishim të drejtë?
A arritëm dot ne ta ndalonim këtë shkarjen në humnerë? Jo. Ne u munduam ta shpëtonim nga gremina në 2017-ën PD-në. Ne nuk arritëm, pasi ajo që për ne mund të ishte greminë për dikë tjetër mund të ishte trampolinë dhe ja ku jemi sot. Nuk kam pasur ndonjë ndjesi të madhe”, deklaronte Bregu.
Fraksion.com