AktualitetEkonomiTë fundit

Balluku: Kemi marrë me qira 2 anije që…

Shqipëria ka nënshkruar një kontratë për të marrë me qira dy anije që prodhojnë energji elektrike.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Energjisë Belinda Balluku, e cila gjatë mbledhjes së Komitetit të Energjisë, bëri të ditur se këto anije do të ankorohen në Triport dhe do të garantojnë furnizimin me energji elektrike edhe gjatë muajve të Verës.

Ndihmesë për arritjen e kësaj marrëveshje ka dhënë edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Këto anije do të prodhojnë energji deri sa të vendoset në punë HEC-i i Vlorës.

“Me mbështetje edhe të ambasadores amerikane, zonjës Kim, por edhe në bashkëpunim shumë të ngushtë me Excalerate Power që sot është kompania që bashkëpunon për projektin e termocentralit të Vlorës, ne kemi arritur një marrëveshje për të marrë me qira dhe për të ankoruar në Triport, pra në Vlorë, dy anije prodhuese të energjisë elektrike, të cilat prodhojnë këtë energji për një periudhë kohe deri sa TEC-i të vendoset në punë. Janë termocentrale lundruese, këtu nisim fazën e parë të TEC-it të Vlorës dhe kjo është një arritje shumë e madhe pasi do na garantojë edhe gjatë periudhës së Verës që ne të kemi një pavarësi energjetike që do të prodhohet nga ato anije, sigurisht e kufizuar por edhe e misheluar së bashku me kaskadën, edhe ato importe afatgjata që ne i kemi vendosur tashmë në bazë të VKM, por edhe shkëmbimin energjetik të sasive të ndryshme sidomos sot që kemi arritur t’i shkëmbejmë edhe në profile 1 me 1 dhe jo si dikur, do të jenë të gjitha një mishelë e rëndësishme që do na japi pavarësinë energjetike edhe gjatë periudhës së Verës”.

Ministrja Balluku siguroi gjithashtu që çmimi i energjisë elektrike për abonentët familjarë dhe bizneset e vogla nuk do të pësojë rritje.

 

Farksion.com