AktualitetPolitikëTë fundit

Peleshi: Të bashkohemi në rishikimin e strategjisë së sigurisë kombëtare

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi i bëri sot thirrje opozitës që të bashkohet në procesin e sapofilluar të rishikimit të strategjisë së sigurisë kombëtare.

Në fjalën e tij në Kuvend për rezolutën për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, Peleshi tha se, “do donim që të flisnim të gjithë në të njëjtën gjuhë për Ukrainën, natyrisht Shqipëria nuk është larg nga Ukraina, është më afër, e kuptuam që është më afër sesa mendonim para 24 shkurtit”.

“Natyrisht që ne kemi sfidat tona të sigurisë kombëtare të mbrojtjes, natyrisht që jemi në një nevojë për shkak të situatës së krijuar në mbështetje të fjalës të z. Xhafa për të rishikuar dokumentet tona strategjike dhe do t’ju them pak më vonë se çfarë jemi duke bërë për të, por sot është dita e Ukrainës çdo përpjekje për të marrë nga ky debat nga kjo çështje gjeopolitike nuk është e drejtë nuk është etike nuk është shqiptare sepse ne shqiptarët kemi një gjë që nuk e ka asnjë vend në rajon, ne jemi i vetmi vend në rajon pa probleme politike në raport me orientimin tonë gjeopolitik dhe kjo nuk është merita e qeverisë kjo nuk është merita e Partisë Socialiste, kjo është meritë e të gjithëve bashkë”, tha Peleshi.

“Ne e njohim meritën tuaj, meritën e Partisë Demokratike, meritën e të gjithave partive të vogla e të mëdha në Shqipëri që kanë të njëjtin orientim, jemi të gjithë shqiptarë kur vjen çështja te orientimi perëndimor, ne jemi të gjithë me perëndimin nuk ka parti politike nuk ka organizata joqeveritare në Shqipëri të jenë kundër orientimit tonë perëndimor. Sot është dita të bashkohemi në këtë narrativë jo ta dobësojmë atë por ta themi me zë të lartë të dëgjohet në Bruksel të dëgjohet aty ku duhet në mënyrë që proceset tona integruese në këtë situatë kaq të ndryshuar gjeopolitike të marrin shpejtësi t’i tregojmë edhe njëherë sesi ne jemi faktorë në të gjithë rajonin drejt perëndimit. Sot janë 3 kryeministra në Ballkanin Perëndimor ta përdorim këtë moment për mirë, por nuk është dita sot të flasim për çështjet tona shumë të mëdha sot është dita të flasim për Ukrainën ndaj ne nuk jemi përgatitur si Kabinet si qeveri ndaj nuk dëgjoni ta përziejmë me probleme të tjera ndaj nuk e përmendim Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi, Kosovën apo vende të tjera në rajon, jo se kemi kompleks. Kryeministri shqiptar është i pari kryeministër që në mes të Beogradit i ka kërkuar hesap Serbisë për njohjen e Kosovës”, u shpreh Peleshi.

“Është e turpshme, të tregojmë me gisht njëri-tjetrin si proserb. Ne nuk themi që ju keni agjenda antiperëndimore. Jo! Ju jeni perëndimorë. Ju jeni shqiptarë dhe ne jemi të gjithë bashkë në orientimin tonë perëndimor dhe kjo është arsyeja pse ne duhet të bashkohemi, të lemë mënjanë të gjitha agjendat tona të ditës politike. Mos përfitojmë mbi rritjen e çmimeve sepse nuk është faji i PS, është faji i një situate botërore, mos merremi me çmimin e naftës, mos marrim vota nga pakënaqësia legjitime e popullit në një situatë aspak të favorshme jo për Shqipërinë po për gjithë botën, për vende shumë më të zhvilluara se ne. Të tregojmë qytetari, përgjegjshmëri historike, të bashkohemi ne procesin e sapofilluar të rishikimit të strategjisë tonë të sigurisë kombëtare. Të bëjmë një strategji kombëtare jo qeveritare”, theksoi Peleshi.

“Unë drejtoj një institucion shumë të rëndësishëm, sidomos në këtë kohë. Ne mezi po presim që me një procedurë të përshpejtuar të miratojmë një rishikim të strategjisë tonë kombëtare që pastaj të derivojë në një strategji të mbrojtjes dhe pastaj të rishikojmë edhe objektivat tona të kapaciteteve. Natyrisht që na duhet të vëmë më shumë forca për modernizimin, të rrisim buxhetin për mbrojtjen. Ballkani Perëndimor është mbase, në stacionin e radhës së valës që krijoi agresioni rus. Një valë qe e kthen historinë e botës, nga një botë që po zhvillohej në dukje orientuar nga disa ideale dhe vlera globale, në një botë me shumë pole. E tha dhe z. Spaho dhe ka shumë të drejtë. Po ndodh ajo që presidenti Putin jo parashikoi, por paralajmëroi në 2007. Ai kërkoi një botë me shumë pole dhe tani po mundohet ta bëjë atë realitet. E në këtë botë në ndryshim, ne duhet të qëndrojmë më fort me perëndimin, duke i thënë këtij të fundit që jemi të gjithë bashkë, ndaj na pranoni, na integroni siç e meritojmë me procedurë të përshpejtuar dhe jo duke na bërë peng të debateve historike, gjuhësore, etnike, kulturore, të papranueshme për këtë situatë”, u shpreh Peleshi.

“Ndjesë për tonin por nuk e meritojmë ne, nuk e meritojnë shqiptarët të ndahen në këtë ditë. Ne jemi të gjithë bashkë. Ne jemi me Ukrainën. E kemi ndihmuar, jo duke bërë zhurmë të madhe. Po ua them këtu që kemi qenë nga vendet e para në Evropë dhe në botë që i kemi dhënë ndihmë konkrete ushtarake Ukrainës. E kemi bërë atë me shumë sukses dhe do të vazhdojmë ta mbështesim me të gjitha mundësitë tona sepse Ukraina sot nuk po lufton për Ukrainën, por po lufton për lirinë e të gjithëve”, përfundoi Peleshi.

 

Fraksion.com