Basha në Lushnjë: Më 6 mars çlirojmë tregun dhe ua kthejmë fermerëve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bashkë me kandidatin për kryebashkiak të PD-së në Lushnjë, Indrit Sefa, zhvilluan një takim me fermerë dhe drejtuesit e shoqatave të fermerëve të Lushnjës.
Në fjalën e tij Basha tha se problemet e fermerëve lushnjarë sa vijnë dhe po bëhen më të mëdha.
Sipas tij, edhe pse duhej të ishte sektori që duhej të kishte vëmendjen më të madhe, sot fermerët shqiptarë nuk krahasohen as me ato të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut.
“Gjendja ku ndodhemi, është e rezultat i 8 viteve braktisje dhe harresë totale të gjysmës së popullsisë që jeton në sektorin rural. Dhe pa diskutim, kështu është edhe në këtë të diel, jo vetëm në Lushnjë, por edhe në 5 bashkitë e tjera, më shumë se gjysma e popullsisë, janë të varur nga toka apo nga aktiviteti blegtoral. Probleme që i diskutojmë sot këtu janë edhe problemet e fermerëve të Shkodrës, të Dibrës, të Rrogozhinës, të Vorës, janë pra edhe problemet e fermerëve të Durrësit. Problemi numër një është ashiqare dhe është 100 % faji i Edi Ramës”, theksoi Basha.
Basha u shpreh se “fermerëve në Kosovë edhe në kohë krize, Republika e Kosovës, ka 14 vite e 2 javë shtet, iu rezervon minimumi 80 milionë euro në vit subvencione, mbështetje direkte për fermerin. Republika e Maqedonisë së Veriut, 100 milionë. Po rri tek këto të dyja, se po të shkojmë tek të tjerat, shuma vetëm rritet. Këto para sigurisht vijnë nga taksapaguesit”.
Basha tha se, një problem madhor për fermerët e Lushnjës është edhe tregu i qytetit, që sipas tij edhe pse është ndërtuar me financim nga Banka Botërore, kontrollohet njësoj si inceneratorët, si burg i sigurisë së lartë nga banda e Lushnjës.
“Iu drejtohem të fermerëve të Lushnjës pa dallime politike dhe e di që ka edhe socialistë që kanë qarë hallin me të njëjtin guxim dhe ky është një moment për t’ju thënë bravo atyre që kanë pasur guximin t’i thonë problemet e Lushnjës ashtu siç janë dhe për të bashkuar votat ne datën 6 mars kundër një qeverie që vetëm ju ka gënjyer dhe vetëm ju ka vjedhur, kundër një personi që ka 15 vite në bashki dhe s’ka ngritur njëherë zërin apo gishtin për t’ju ndihmuar, por ka qenë pjesë e aferave për t’ju zhytur dhe për birin tuaj që hapin e parë që do të ndërmarrë është të çlirojë tregun e Lushnjës dhe t’ua kthejë fermerëve”, tha Basha.
Më tej kryedemokrati ngriti edhe shqetësimin se qeveria po përdor tollonat e naftës për të joshur fermerët dhe qytetarët disa ditë para zgjedhjeve të 6 marsit.
Kreu i PD u bëri thirrje të gjithë fermerëve lushnjarë që ditën e diel me votën për Indrit Sefën të çlirojnë veten, produktet dhe konsumatorët lushnjarë, pasi sipas tij gjëja e parë që do të ndodhë është që tregu i Lushnjës do të çlirohet nga banda e Lushnjës.
“Tarifat që janë gjoba do të hiqen dhe tregu i lirë do të mundësojë të paktën një lehtësi në raport me aktivitetin tuaj ndaj këtë të diel e keni vetë në dorë. Të hënë, të martë, të mërkurë o të rrini kokëlartë përpara fëmijëve tuaj dhe të thoni të paktën një hall e zgjidhëm me votën tonë, zgjodhëm Indrit Sefën që ka vite që lufton kundër padrejtësive në gjykata dhe aktin e parë do të ketë çlirimin e Lushnjës të marrë peng nga banda. Sepse në fund të fundit ditën e diel ju e keni mundësinë ta hidhni këtë hap, e keni mundësinë ta hidhni këtë votë”, nënvizoi Basha.
Fraksion.com