AktualitetTë fundit

Ekzekutohet me armë zjarri punonjësi i Ujësjellësit në Shkodër; 47-vjeçari u qëllua me kallashnikov brenda në lokal

47-vjeçari Prek Tonaj ka mbetur viktimë e një atentati mbrëmje e sotme në fshatin Grudë e Re në Shkodër.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 19:15, në një lokal në qendër të fshatit, ku Tonaj u qëllua me breshëri kallashnikovi nga një person i paidentifikuar, ndërsa ka marrë plagë të shumta në pjesën e sipërme të trupit, që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Tonaj, punonjësi i Ujësjellës Kanalizime Shkodër, rezulton person me precendet penal, pasi në 2011 është arrestuar sepse së bashku me 2 persona të tjerë, tentuan të vrasin një person për hakmarrje në fshatin Vuksan të Shkodrës.

Nuk dihet ende nëse kjo ngjarje e 11 viteve më parë ka lidhje me ekzekutimin e sotëm të Tonaj. Burime bëjnë me dije se Prek Tonaj i janë vrarë edhe dy vëllezër vite më parë, njëri në fillim të viteve ’90 në Dukagjin dhe disa vite më vonë iu vra edhe vëllai tjetër në burg.

Autori nuk është identifikuar ende, teksa policia ka ngritur postblloqe, ndërsa ka nisur edhe marrja në pyetje e personave që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes.

NJOFTIM

Më datë 13.02.2022, rreth orës 19:15, në fshatin Grudë e Re, Shkodër, në rrethana ende të paqarta, në ambientet e një lokali, është vrarë me armë zjarri shtetasi P. T., 47 vjeç, banues në Grudë, Shkodër.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor.

Janë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës, për të bërë të mundur kapjen e autorit/ëve.

 

Fraksion.com