DW: Gjermania distancohet nga raporti i Amnesty International për Izraelin
Qeveria e Gjermanisë e kundërshton prerazi akuzën për aparteid që ngre ndaj Izraelit Amnesty International (AI) dhe refuzon “fokusimin e njëanshëm ndaj Izraelit”, tha një zëdhënës në Berlin.
Zëdhënës i Ministrisë së Jashtme në Berlin u tërhoqi vëmendjen aktivistëve të të drejtave të njeriut: “Në shqetësimin e krijuar aktualisht prej rritjes së antisemitizmit në Europë kushdo, edhe ata që angazhohen për të drejtat e njeriut, mbajnë përgjegjësi, duke e nxitur këtë frymë edhe padashje”, thotë ai.
Nga ana tjetër Gjermania i përmbahet qendrimit të vet refuzues ndaj zgjerimit të vendbanimeve në territoret e pushtuara të palestinezëve si dhe mbështet një zgjidhje me dy shtete, shtoi zëdhënësi. Disa praktika si shembjet dhe zhvendosjet e shtëpive të palestinezëve në territoret e pushtuara duhen konsideruar pjesërisht në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Zëdhënësi iu referua faktit, se edhe qeveria gjermane vazhdimisht kritikon politikën e Izraelit: “Situatat kritike ne jo vetëm që i tematizojmë direkt me partnerët tanë izraelitë, por ne pozicionohemi qartazi publikisht për këtë”, tha zëdhënësi.
Shoqata gjermano-izraelite (DIG) kërkoi që t’i tërhiqet çmimi Nobel i Paqes organizatës Amnesty International. Me këtë raport kjo organizatë “qartazi dhe pa asnjë dyshim është demaskuar si antisemite”, deklaroi presidenti i DIG, Uwe Becker.
Kjo organizatë, sipas tij e ka marrë me pa të drejtë Nobelin e Paqes. Kush pretendon, që e vetmja demokraci në Lindjen e Mesme është “shtet aparteidi, që i trajton ‘palestinezët si racë inferiore’, përhap me vetëdije gënjeshtra dhe nuk druhet të përdorë zhargonin nacionalsocialist”, kritikon Becker. Ai akuzoi Amnesty International, se mbyll sytë ndaj “realiteteve” – si faktit qëpopullsia izraelite përbëhet në 20 përqind prej palestinezëve, “të cilët qartazi identifikohen me shtetin e Izraelit”.
Edhe Këshilli Qendror i Hebrejve në Gjermani e akuzoi Amnesty International për antisemitizëm dhe “demonizim” të Izraelit. Ministri i Jashtëm i Izraelit, Yair Lapid deklaroi, se raporti përmban “gënjeshtra”, që përhapen nga “organizatat terroriste”.
Fraksion.com