Raportet: SHBA, e gatshme të diskutojë me Rusinë për trupat dhe raketat
Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për të zhvilluar bisedime me Rusinë për një marrëveshje reciproke rreth raketave tokësore dhe forcave luftarake në Ukrainë, sipas disa dokumenteve të publikuara nga revista spanjolle, El Pais.
Dokumentet, të cilat sipas gazetës janë pjesë e përgjigjeve të Uashingtonit dhe NATO-s ndaj kërkesave të Rusisë për siguri, kanë ofruar mundësinë e kufizimit të incidenteve ushtarake, si dhe ta sigurojnë Moskën se raketat Tomahawk nuk do të instalohen në Rumani dhe Poloni, vende anëtare të aleancës.
“NATO-ja është aleancë për mbrojtje dhe nuk përbën kërcënim për Rusinë”, është thënë në dokumentin e Uashingtonit.
“Ne gjithmonë kemi qenë në kërkim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë në zonën euro-atlantike dhe të një Evrope të lirë dhe në paqe. Këto janë synimet dhe vizioni ynë”.
Ai ka thënë se Rusia planifikon të luftojë sanksionet amerikane dhe të zvogëlojë pasojat e tyre, si dhe i ka bërë thirrje Shtëpisë së Bardhë që të mos “rrisë tensionet” në Evropë.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe kryeministri britanik, Boris Johnson ishte planifikuar që të bisedonin më 1 shkurt, mirëpo Johnson e ka shtyrë takimin për shkak të problemeve politike të brendshme.
Para takimit, një zyrtar i lartë rus në Kombet e Bashkuara e ka përshkruar diplomacinë britanike si “të pavlerë”.
“Ka gjithmonë hapësirë për diplomaci, mirëpo sinqerisht ne nuk i besojmë diplomacisë britanike”, ka thënë Dmitry Polyanskiy, zëvendës-ambasador në Kombet e Bashkuara, në një intervistë për Sky News.
Nëse Rusia pushton Ukrainën, kjo nuk do të ishte hera e parë.
Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014.
Ky vend po ashtu mbështet rebelët në konfliktet në rajonet lindore të Ukrainës, në të cilat kanë vdekur rreth 14,000 persona./REL
Fraksion.com