Norvegji, nisin bisedimet me talebanë
Një delegacion taleban i kryesuar nga ministri i Jashtëm në detyrë Amir Khan Muttaqi nisi të dielën bisedime në Oslo me zyrtarë të kësaj qeverie dhe përfaqësues të shoqërisë civile afgane, bisedime që janë parashikuar të zgjasin tre ditë. Ky zhvillim vjen ndërsa situata humanitare në Afganistan është përkeqësuar.
Takimet me dyer të mbyllura po zhvillohen në një hotel në kryeqytetin norvegjez. Ditën e parë, përfaqësuesit e talebanëve do të takohen me aktivistë të të drejtave të grave dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut nga Afganistani dhe diaspora afgane.
Para bisedimeve, zëvendësministri i kulturës dhe informacionit i talebanëve postoi një mesazh zanor që ai tha se ishte nga zoti Muttaqi, ku vihej theksi tek shpresa për “një udhëtim të mbarë plot arritje” dhe ku falënderohej Norvegjia, një vend që ai tha se shpreson të bëhet “një portë për një marrëdhënie pozitive me Evropën”.
Kjo është hera e parë që talebanët zhvillojnë takime me zyrtare evropianë që kur morën pushtetin në gusht në Afganistan. Më herët ata kanë vizituar Rusinë, Iranin, Katarin, Pakistanin, Kinën dhe Turkmenistanin.
Gjatë bisedimeve, ka gjasa të mëdha që zoti Muttaqi të ushtrojë trysni lidhur me kërkesën e talebanëve që të zhbllokohen afro 10 miliardë dollarë të ngrira nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore ndërsa Afganistani përballet me një situatë të pasigurt humanitare.
Kombet e Bashkuara kanë arritur të sigurojnë pak likuiditet dhe kanë lejuar administratën e re të paguajë për importet, përfshirë energjinë elektrike, por paralajmëroi se deri në 1 milion fëmijë afganë janë në rrezik të vdesin nga uria. Pjesa dërrmuese e 38 milionë banorëve të vendit jetojnë nën kufirin e varfërisë.
Ministria e Jashtme norvegjeze tha se delegacioni i talebanëve do të takohet gjithashtu me afganët në Norvegji, mes tyre “gra drejtuese organizatash, gazetare dhe njerëz që punojnë, me të drejtat e njeriut, çështje humanitare, ekonomike, sociale dhe politike”.
Fraksion.com