“Persona të armatosur brenda në seli”; Basha dhe Bardhi merren në pyetje në prokurori
Kryedemokrati Lulzim Basha është thirrur sot nga prokuroria për të dëshmuar mbi protestën e 8 janarit, që demokratët zhvilluan para selisë blu e që u shoqërua me tensione dhe përplasje fizike.
Basha, që nuk ka konfirmuar për mediet nëse do të jetë i pranishëm, është thirrur për t’u paraqitur në Prokurorinë e Tiranës në orën 11:00, ndërsa pas tij do të vijë Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, në orën 12:00.
Basha dhe Bardhi priten të pyeten për akuzat nëse brenda selisë blu ka pasur persona të armatosur dhe me precedentë penalë.
Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha dhe deputeti Flamur Noka u morën në pyetje nga organi i akuzës në lidhje me protestën e 8 janarit.
Hetimet nisën pasi më 8 janar, një grup mbështetësish të PD dhe deputetit Sali Berisha, shkuan në selinë e subjektit, por ajo ishte veshur me hekura në dyer e dritare, kurse, sipas raportimeve në media, brenda ndodheshin persona të armatosur të cilët përdorën forcën dhe gazra toksike për të ndalur depërtimin e demokratëve pro Berishës, në zyrat e Bashës dhe Bardhit.
Më herët, më 11 dhjetor 2021, Sali Berisha organizoi Kuvendin Kombëtar të PD me firmat e një pjese të anëtarësisë. Kuvendi arriti kuorumin dhe e tejkaloi atë dhe vendosi shkarkimin e Lulzim Bashës.
Fraksion.com