Presidenti Biden fajëson hapur paraardhësin e tij Trump për 6 janarin
Presidenti Joe Biden fajësoi sot hapur parardhësin e tij Donald Trump për ngjarjet e 6 janarit dhe për pasojat e pretendimeve të tij për zgjedhjet tek demokracia amerikane. Në një fjalim në një vjetorin e sulmit më të rëndë ndaj Kapitolit që prej 200 vjetësh, Presidenti Biden theksoi nevojën e mbrojtjes së vlerave demokratike. Ai e Majit fjalimin të enjten pikërisht në ndërtesën e Kongresit, një zgjedhje që e nxirrte edhe më shumë në pah simbolikën e komenteve të tij. Kolegia Keida Kostreci njofton.
Një vit pas sulmit të 6 Janarit, Presidenti Biden foli pa doreza duke bërë plotësisht përgjegjës për ngjarjen, ish-Presidentin Trump.
“Për herë të parë në histori një president jo vetëm i humbi zgjedhjet , por u përpoq të parandalonte transferimin paqësor të pushtetit, ndërsa një turmë e dhunshme, hyri me forcë në Kapitol. Por ata dështuan, dështuan”, tha ai.
Ai e akuzoi zotin Trump, të cilin nuk e përmendi asnjëherë me emër se “ka thurur dhe përhapur një rrjet gënjeshtrash rreth zgjedhjeve të vitit 2020.
“Ai e ka bërë këtë sepse vë pushtetin mbi parimet, sepse ai e konsideron interesin e tij si më të rëndësishëm sesa interesin e Amerikës. Dhe sepse për të, egoja e tij e lënduar është më e rëndësishme sesa demokracia ose Kushtetuta jonë”, tha presidenti Biden.
Presidenti e fajësoi zotin Trump për nxitjen e trazirave më 6 janar, që shkaktuan vdekjen e pesë vetëve dhe më shumë se 130 të plagosurve. Turma që ndërmori sulmin para një viti, u nis drejt Kapitolit pas një fjalimi para Shtëpisë së Bardhë nga ish-Presidenti Donald Trump.
Në një reagim menjëherë pas fjalimit të zotit Biden, ish-presidenti Trump nuk u tërhoq nga pretendimet e tij të pambështetura në prova se zgjedhjet ishin të manipuluara, duke akuzuar Komisionin e Kongresit që po heton 6 janarin si të paragjykuar dhe të njëanshëm.
“Pse Komisioni i Pazgjedhur mashtrues, tërësisht politik, gjykimi i të cilit është bërë kohë më parë, nuk diskuton për zgjedhjet e manipuluara presidenciale të 2020? Sepse ata nuk kanë përgjigje apo justifikime për atë që ndodhi”, shkruante ai në një deklaratë.
Ai shtoi se Gënjeshtra e Madhe ishin vetë zgjedhjet. Komisioni i Posaçëm, i ngritur në fund të qershorit, pritet të publikojë një raport mbi rezultatet e hetimit përpara zgjedhjeve për Kongresin në nëntor 2022.
Presidenti Biden, megjithëse e pranoi se 6 janari ishte një sulm i rëndë, theksoi se demokracia “mbijetoi” dhe ish-presidenti Trump “dështoi”.
Ai tha se zgjedhja që Shtetet e Bashkuara bëjnë në këtë moment në histori do të përcaktojë se “çfarë vendi jemi”:
“A do të jemi një vend që e pranon dhunën politike si normë? A do të jemi një vend që lejon zyrtarë partiakë të zgjedhjeve të përmbysin vullnetin e shprehur në mënyrë legjitime të popullit? A do të jemi një vend që nuk jeton në dritën e së vërtetës, por nën hijen e gënjeshtrës? Ne nuk mund t’ia lejojmë veten të jemi një vend i tillë. Rruga përpara është ta pranojmë të vërtetën dhe të jetojmë me parimin e së vërtetës“, tha Presidenti Biden në fjalimin e tij.
Sondazhet e opinionit publik kanë treguar se rreth 70% e republikanëve nuk e konsiderojnë legjitime fitoren e zotit Biden në zgjedhje, megjithëse nuk ka asnjë provë se zgjedhjet ishin të manipuluara.
Fraksion.com