AktualitetPolitikëTë fundit

Këshilli Kombëtar i PD-së shkarkon Palokën dhe disa anëtarë të Kryesisë

Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike votoi sot për shkarkimin nga funksionet për kryetarin e Këshillit, Edi Paloka dhe disa anëtarë të Kryesisë.

Nga 257 anëtarë të Këshillit Kombëtar që morën pjesë në votim, 251 votuan pro shkarkimit, 4 kundër dhe 2 fletë votimi të pavlefshme. Numri total i anëtarëve te Këshillit është 479.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi deklaroi më herët se Këshilli Kombëtar vendosi për votim të fshehtë për propozimin e shkarkimit të anëtarëve të kryesisë që shkelën vendimin e kryesisë dhe organizuan struktura paralele.

Bardhi deklaroi se sot nuk merret asnjë vendim për përjashtim, por për shkarkim nga funksionet.

“Disa anëtarë të kryesisë nuk kanë respektuar vendimin e kryesisë së Partisë për thirrjen në datën 18 të Kuvendit Kombëtar. Janë angazhuar për ngritjen e strukturave paralele për te zëvendësuar institucionet e ligjshme statutore të PD. Për ta nuk ka më kryetar partie, nuk ka sekretar të përgjithshëm, nuk ka nënkryetarë, nuk ka kryesi, nuk ka Këshill Kombëtar, përveç kësaj trupe që sillet si celulë ilegale që kërkon t’i mbivendoset institucioneve legjitime të partisë. Për këtë arsye, ata mund të bëjnë çfarë të duan jashtë institucioneve të partisë, por nuk mund të veprojnë si anëtarë të kryesisë qendrore të PD. Ky është propozimi ndaj Këshillit Kombëtar. Nuk po marrim masë disiplinore ndaj askujt, edhe pse interesi elektoral i PD me veprime të tilla, na jepte të drejtën e masave disiplinore sipas nenit 27. Për të mos i fryrë përçarjes, për të mos perjashtuar askënd, propozojmë shkarkimin nga funksionet: Është një pyetje në fletën e votimit. A jeni dakord me propozimin e kryesisë për shkarkimin e; Kryetarit të Këshillit Kombëtar, Edi Paloka. Anëtarëve të kryesisë: Flamur Noka, Aldo Bumçi, Gent Strazimiri, Albana Vokshi, Oerd Bylybashi. Si dhe sekretarëve: Ervin Minarolli, Ivi Kaso, Belind Kelliçi, Ledina Mandia”, shprehet Bardhi.

 

Fraksion.com