Berisha-Bashës: Rama të mban peng me “Toyota Yaris”. Dil e sqaro aferën!
Ish-kryeministri Sali Berisha nga Burreli i është përgjigjur deklaratave të kryedemokratit Lulzim Basha, i cili tha se ai riciklon akuzat e Edi Ramës për të.
Berisha tha se Rama e mban peng me çështjen e “Toyota Yaris”, duke i kërkuar Bashës të dalë dhe ta sqarojë.
“Meqë jam sot para jush, do t’i kthej një përgjigje. Tre-katër ditë më parë u ankua se po e sulmoj me fjalët e Edi Ramës. Tani do t’i them: peng Basha në qoftë se Edi Rama apo cilido thotë një gjë që qëndron, Sali Berisha nuk e mohon kurrë. Është e vërtetë që Edi Rama të ka përmendur ty ‘Toyota Yaris’ në parlament, por është e vërtetë që ai e mban peng me ‘Toyota Yaris’ Lulzim Bashën sa për dijeni. Prandaj peng Basha, dil e sqaroje aferën e ‘Toyota Yaris’, ndave apo jo para me Taulant Ballën në atë aferë.
Na ngrihet një ditë të bukur në parlament, ditë të martë dhe thotë se ditën e shtunë do vijnë Toyotat me 5 mln euro. Ku e mësove këtë i thashë, më informuan tha. Por e çuditshme ishte kjo, eurot erdhën, por nuk u kthyen. I thashë pse nuk u kthyen ato euro pasi ti njoftove, epo tha ndiqeshin me GPS. Ashtu i thashë unë, mirë. I ndiqnin me GPS. Çudi i them unë, shumë çudi kjo punë. Eurot nuk u kthyen mbrapsht, ndonëse kishin 3 ditë për t’u kthyer e për të shkuar dhe në Australi apo Afrikë e Jugut po të donin. Erdhën në Durrës 1.5 mln euro më pak. Kanë ardhur disa herë hetuesit belgë dhe z. Basha iu fshihet dhe nuk iu shkon. Nëse Edi Rama t’i përmend, të mban peng, unë të kërkoj transparencë”, deklaroi Berisha.
Fraksion.com