Bullgaria pas zgjedhjeve, qasje më progresiste për ngërçin me Maqedoninë e Veriut
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka deklaroi sot se, “pas zgjedhjeve të fundit Bullgaria ka një qasje më progresiste sa i takon ngërçit me Maqedoninë e Veriut dhe mesazhet e dhëna këto ditët e fundit pas zgjedhjeve nga aktorët politikë në Bullgari kanë qenë pro thellimit të bashkëpunimit me Maqedoninë e Veriut, që do të thotë kanë qenë sinjale shumë pozitive”.
E pyetur në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Michael Linhart, nëse duhet që Shqipëria të ndahet nga Maqedonia e Veriut, sa i përket hapjes së bisedimeve për anëtarësim, pas vetos që Bullgaria i ka vënë kësaj, të fundit, Xhaçka u shpreh se, “megjithatë jemi ende në kushtet e një realiteti në zhvillim, me një dinamikë të caktuar, si për çështjen e Presidentit, ashtu edhe për çështjen e koalicionit, ndaj është ende herët do të thosha për t’u shprehur nëse do të ketë, apo duhet të ketë shkëputje mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për Konferencën e parë ndërqeveritare”, tha Xhaçka.
Ndërkohë shtoi ministrja, “ne mendojmë dhe jemi mbështetës të faktit që i gjithë rajoni e ka një perspektivë anëtarësimi dhe duhet ta ketë një perspektivë anëtarësimi, që nga Samiti i Selanikut në vitin 2003, por që njëkohësisht duhet besoj ekuilibër dhe reciprocitet në mbajtjen e angazhimeve”.
“Ballkani Perëndimor mendojmë ne është një test prove për suksesin e qëndrueshëm të modelit evropian, demokracisë, lirisë dhe shtetit të së drejtës, të lidhura patjetër edhe me sigurinë, edhe me mirëqenien. Procesi i transformimit në vendet tona po vazhdon. Ndërkohë që fillimi i negociatave të anëtarësimit do të ishte për vendet tona një sinjal inkurajues, duke na treguar se bashkërisht jemi angazhuar shumë seriozisht”, u shpreh Xhaçka.
“Interesi në fakt që procesi të avancojë, duhet dhe është reciprok, ashtu siç e kanë thënë edhe aktorë të ndryshëm të vendeve anëtare të BE, po siç e thotë edhe ministri Linhart sot. BE-në dhe Ballkanin Perëndimor nuk i lidh vetëm afërsia gjeografike, por edhe lidhje të shumta historike, kulturore, ekonomike. Dhe BE ka një interes jetik për ta mbajtur rajonin tonë të ankoruar fort pas Evropës, duke e bërë më të qëndrueshëm dhe më rezistentë ndaj faktorëve të brendshëm de stabilizues. Sikundër edhe ndaj atyre ndikimeve të dëmshme që vijnë nga jashtë”, nënvizoi Xhaçka.
“Vizita e ministrit sot, i cili ka mbërritur në fakt nga Shkupi, por edhe një sërë vizitash dhe turesh rajonale të ndryshme, të liderëve të ndryshëm të vendeve të BE në Shqipëri dhe në rajon, janë përgjigja dhe mesazhi më i mirë që ky proces duhet të vazhdojë. Dhe ne jemi kujdesshëm optimistë, që mund të kemi një zgjidhje të ngërçit përpara përfundimit të presidencës sllovene”.
Ndërsa ministri Linhart, u shpreh se, mbështet plotësisht mendimin e ministres Xhaçka.
“Ne po kthehemi nga Shkupi dhe unë jam i mendimit dhe e kam thënë këtë edhe gjatë bisedimeve të mia në Shkup, edhe sot, që ne tani kemi një dritare të hapur për shansin, për të zhvilluar këto bisedime me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë. Për ta bërë këtë gjë nën Presidencën e Sllovenisë. Mendoj se nuk është diçka e rëndësishme vetëm për këto vende, por mendoj se është diçka e rëndësishme për të gjithë rajonin. Që t’i kemi këto hapa të suksesshme, që të japim një sinjal për të gjithë rajonin që është një hap më tej drejt Evropës, që ne kemi këtë perspektivë evropiane dhe që ia ka vlejtur që t’i bëjmë këto reforma në drejtim të Evropës”, tha Linhart.
“Maqedonia e Veriut, Shqipëria, por edhe vendet e tjera janë pjesë të Evropës, në të gjithë historinë e tyre, në të gjithë kulturën e tyre. Ato janë në mes të Evropës, nuk janë anash saj, apo diku tjetër. Ato janë pjesë e Evropës dhe nuk duhet të jenë në asnjë mënyrë të përjashtuar nga Evropa”, u shpreh Linhart.
“Mendoj që sigurisht këtë mesazh duhet t’ua japim edhe partnerëve tanë në BE që kjo tashmë është një shans absolut për t’i hapur negociatat me të dyja vendet. Të jetë një sinjal për të gjithë rajonin”.
Fraksion.com