Situata në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë po qetësohet
Forcat bjelloruse të sigurisë filluan të evakuojnë emigrantët. Qeveria gjermane ka mbrojtur bisedën telefonike të fundit të kancelares Merkel me liderin bjellorus Lukashenko kundër kritikave.
Situata u përkeqësua më tej dje kur rojet kufitare polake ndërhynë me ujë dhe gaz lotsjellës kundër emigrantëve që gjuanin me gurë në anën bjelloruse. Informacioni zyrtar për situatën në kufi është i vështirë për t’u verifikuar, pasi gazetarët dhe organizatat humanitare nuk mund të hyjnë në një zonë të ndaluar me gjerësi tre kilometra, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur nga Polonia.
Merkeli telefon sërish me Lukashenkon
Ndërkohë, kancelarja Merkel dhe Aleksandër Lukashenko zhvilluan të mërkurën një bisedë të dytë telefonike. Ata ranë dakord që duhet të zhvillohen bisedime midis përfaqësuesve të BE dhe Bjellorusisë për të zgjidhur çështjen, tha presidenca bjelloruse. Merkel bëri thirrje për “ndihmë humanitare dhe mundësi për kthimin e të prekurve” në bashkëpunim me OKB-në dhe Komisionin Evropian. Këtë e bëri të ditur zëdhënësi i Merkelit, Stefen Seibert.
Angela Merkel telefonoi me Lukashenkon edhe të hënën për ndihmën humanitare që do t’i ofrohet popullatës. Biseda telefonike zgjati rreth 50 minuta. Ajo ishte biseda e parë e Merkelit me Lukashenkon që nga rizgjedhja e tij e panjohur nga BE si president i Bjellorusisë gushtin e kaluar. BE nuk e njeh më Lukashenkon si kryetar të shtetit që nga rizgjedhja e tij e diskutueshme vitin e kaluar.
Qeveria gjermane mbron telefonatat
Biseda telefonike solli kritika nga jashtë vendit dhe nga një pjesë e klasës politike gjermane. Presidenti polak Duda në mënyrë indirekte shprehu kritika të mërkurën dhe tha se nuk do të pranonte propozime që shkojnë mbi kokën e Polonisë. Pavarësisht kësaj, Angela Merkel foli sërish të mërkurën sërish me Lukashenkon.
Pas bisedës së parë mes Merkelit dhe Lukashenkos, Omid Nouripour, i partisë Të Gjelbrit, foli për një “sinjal katastrofik”. Ai kujtoi se BE nuk e njohu rizgjedhjen e diskutueshme të Lukashenkos vitin e kaluar. Kurse me bisedën e saj telefonike, Merkel de facto e bëri këtë njohje, tha politikani I Gjelbër.
Pasardhësi i pritshëm i Merkelit si kancelar, socialdemokrati Olaf Scholz, kërkoi së fundi sanksione “të qarta dhe të rënda” kundër Lukashenkos. Ai është një “diktator shumë i keq” dhe ka humbur çdo legjitimitet, tha Scholz. Ai kërkoi që të ndërmerren veprime që të mundësojnë një proces demokratik në Bjellorusi. Scholz tha se ne nuk duhet të luajmë lojën e Lukashenkos dhe kontrabandistëve që joshin njerëzit në Bjellorusi me premtime të rreme./DW
Fraksion.com