AktualitetTë fundit

“U shpall zyrtarisht i vdekur”; Dëshmia e Dritan Priftit për zhdukjen e biznesmenit. Të gjitha pistat që ndoqi prokuroria

Emisioni “Në shënjestër” në News24 ka sjellë sot dëshmitë e personave kyç për zhdukjen e biznesmenit Eduart Belegu në mars të 2010. Menjëherë pas zbulimit të automjetit të biznesmenit Belegu, prokurori Eugen Beçi, autorizoi vëzhgimin dhe përgjimin e të gjithë personave të dyshuar si të përfshirë në ngjarjen, që u klasifikua si rrëmbim personi.

Për këtë qëllim u vendos të vëzhgohen dhe përgjohen të gjithë personat që hynin dhe dilnin në banesën e shtetasit Eduard Belegu, një vilë trekatëshe në periferinë e Tiranës.

Po kështu, u pa e arsyeshme përgjimi në vende publike me anë të fotografimit, filmimit me audio dhe video, të lëvizjeve të personave të cilët mund të ishin autorë të mundshëm të rrëmbimit dhe zhdukjes së Eduard Belegut me qëllim marrjen e informacionit të nevojshëm për identifikimin dhe vendndodhjen e shtetasit Eduart Belegu.

Në përgjim, prokuroria autorizoi të mbahen edhe familjarët e Belegut. Ndërsa paralelisht, organi hetues vazhdonte punën për përgjimin dhe mbledhjen e dëshmive të ortakëve të Edmond Belegut.

Në një spirale fijesh që të çonin në shumë emra dhe afera ku ishte i lidhur vetë personazhi i zhdukur.

Në disa botë paralele midis pushtetit, parasë, akuzave për korrupsion dhe një krimi të mundshëm që vinte si rrjedhojë e interesave të fuqishme ku mund të kishte shkelur.

Njëkohësisht Prokuroria nisi edhe verifikimin e thënieve të biznesmenit Thanas Gjinopulli, i fundit që e takoi Eduart Belegun, ku u bënë veprime verifikuese në bankat ku ai kishte depozitat e tij si dhe u pyetën persona që kishin dijeni mbi tërheqjet që ai kishte bërë në këto banka para se të takohej me ortakun e tij.

Po kështu u kryen veprime të tjera hetimore që kishin të bënin me këqyrjet dhe kontrollet në magazinën e Thanas Gjinopullit, aty ku dyshohej se mund të ishte pengu, si edhe u mbajt në përgjim numri i tij telefonik.

Paralelisht me këto hetime, prokuroria pyeti edhe djalin e Thanas Gjinopullit në lidhje me ditën e ngjarjes.

Po kështu Prokuroria e Krimeve të Rënda këqyri regjistrat dhe dokumentacionin edhe në zyrën e noteres, Lindita Lleshi, për të vërtetuar pretendimin e biznesmenit Thanas Gjinopullit se në këtë zyrë ishin përpiluar disa kontrata që lidheshin me huan që ai kishte Eduard Belegut si edhe datën e përpilimit të tyre.

Por pavarësisht nga hetimet e kryera, nuk u përfitua asnjë e dhënë apo provë për të vërtetuar vendndodhjen e Eduart Belegut dhe dyshimet për implikimin e mundshëm të Thanas Gjinopullit në rrëmbimin apo zhdukjen e ortakut të tij.

Gjatë hetimit, grupi hetues sekuestroi dhe këqyri edhe mjetin me të cilin udhëtonte Eduart Belegu ditën e ngjarjes.

Ku në automjetin tip “Range Rover” ngjyrë gri me targë TR 1412 N, u gjetën dy pasaporta shqiptare të Eduart Belegut, disa dëftesa tatimore, një prokurë, disa shënime në një fletë formati A4 dhe akte themelimi të shoqërisë “Re-Ebel- Xh” sh.p.k.

Por as nga ky verifikim nuk u përfitua asnjë provë e vlefshme për hetimin e mëtejshëm të ngjarjes.

Gjithashtu gjatë hetimeve u morën të dhëna edhe nga kompanitë e telefonisë celulare në lidhje me numrat telefonik që dispononin personat e pyetur, kallëzuesja  si dhe numra të tjerë telefonik që u identifikuan nga dinamika e hetimit.

Por as nga administrimi i këtyre të dhënave nuk u përfitua asnjë informacion me interes për hetimin, çka nuk u arrit që të çojë në identifikimin e autorëve të mundshëm të kryerjes së veprës penale të “Rrëmbimit ose mbajtjes peng të personit”.

Për këtë arsye, vetëm disa muaj nga zhdukja, në shtator 2010, Prokuroria e Krimeve të Rënda, mbylli hetimet pa çuar para gjykatës asnjë provë apo person të përfshirë në ngjarjen, që edhe sot mbetet enigmatike.

Një ngjarje që në atë kohë kulmoi edhe në akuza politike, të paprovuara përpara drejtësisë, ku ministri tashmë i ndjerë, Dritan Prifti, foli në janar 2011, me emra të përveçëm, për persona të përfshirë në rangjet e larta të policisë dhe politikës që sipas tij kishin lidhje me zhdukjen e këshilltarit të tij Eduart Belegu, por që drejtësia nuk i pyeti kurrë lidhur mbi këto akuza të rënda.

DRITAN PRIFTI

Prej disa kohësh, Eduart Belegu është shpallur zyrtarisht i zhdukur. Çfarë informacionesh keni ju për atë? A ka lidhje lufta juaj me zotin Meta në lidhje për këtë çështje?

“Më vjen keq që media dhe drejtësia po e po, kanë harruar rastin Belegu. Rasti Belegu, nëse hetohet deri në fund, pra zhdukja e ish-këshilltarit tim, mund të jetë mbase një nga hetimet e shekullit për këtë vend. Zoti Belegu nuk është larguar në asnjë vend tjetër, siç është varianti policisë.

Policia, edhe sot, familjes së tij i thotë na thoni ku ka shkuar Belegu. Policia dhe prokuroria nuk e ka marrë në asnjë rast seriozisht denoncimin tim publik se zoti Bejlegu është zhdukur nga të tjerë dhe jo vetë. Më vjen shumë keq që drejtësia nuk ka vepruar, por edhe media ka dhënë një kontribut shumë pak. Edhe në video që është shfaqur, zoti Meta e përmend zotin Belegu.

Ai kishte kohë që më kërkonte largimin e zotit Belegu, pastaj duke parë rezistencën time për ta larguar pa arsye, por vetëm për qejf të kryetarit të partisë, unë kam bindjen që është i përfshirë edhe në arrestimin e dhunshëm që iu bë zotit Bejlegu në zyrën e tij në ministri pa asnjë arsye.

Belegu pas disa javësh doli nga burgu dhe akuza u hoq zyrtarisht nga Prokuroria. Personin kryesor që dyshohet në rastin e Belegut, policia e la të ikte në Amerikë dy apo tre javë pas ngjarjes”.

Dritan Prifti ndërroi jetë në tetor të vitit 2017. Pavarësisht akuzave të forta që bëri për zhdukjen e këshilltarit të tij, ai nuk u thirr asnjëherë në prokurori që të jepte shpjegime.

Dhe sot nuk mund të na thotë asgjë nëse akuzat që lëshoi ishin politike, apo kishin diçka të vërtetë brenda tyre, kjo pasi të ikurit nga kjo jetë nuk kanë gojë të flasin.

Vetëm 9 vite nga zhdukja, më 11 mars 2019, Gjykata e Tiranës, shpalli me kërkesë të bashkëshortes, zyrtarisht të vdekur Eduart Belegun.

Duke pranuar kështu, edhe dështimin e drejtësisë në zbardhjen e një prej ngjarjeve më të bujshme, atë të zhdukjes së një biznesmeni dhe këshilltari në rangjet më të larta të politikës, por duke lënë pas edhe shumë pyetje pa përgjigje, mbi fatin e tij. Përse kjo dosje u mbyll dhe nuk u hap më kurrë?!

Përse familjarët nuk flasin sot, edhe pse stafi i emisionit ‘Në Shënjestër’, i kontaktoi?!

A do ta rihapë SPAK këtë dosje, për të zbardhur të vërtetën e një prej ngjarjeve më misterioze të 10 viteve të fundit dhe për të na dhënë një version se çfarë ndodhi atë 23 mars të vitit 2010 me Eduard Belegun?!

 

Fraksion.com