Shkolla në Pezë të Vogël me emrin Agron Hysenlliu; Rama: Ndihmoi këdo që humbi strehën nga tërmeti,
Në Pezë të Vogël në Tiranë është u përuruar një tjetër shkollë e re, e cila i shtohet 10 shkollave të ringritura vetëm këtë vit, pas rrënimit të tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Shkolla e re e Pezës, e ngritur në kuadër të Programit të Rindërtimit mban emrin e inxhinier Agron Hysenlliut, ish-drejtor i Institutit të Ndërtimit.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kjo shkollë 9-vjeçare, e cila ka të njëjtin standard me atë të shkollave më të mira në kryeqytet.
“Mirëmëngjes dhe me shkollën e re që mban emrin e profesionistit të shkëlqyer Agron Hysenlliu, i cili nuk u kursye asnjë ditë duke ndihmuar këdo që humbi strehën në tërmetin e 26 nëntorit deri kur COVID-19 e ndau brutalisht nga jeta, ju uroj një ditë të mbarë”, tha Rama.
Shkolla e re në Pezë të Vogël “Agron Hysenlliu” ka një kapacitet prej 250 nxënësish. Në dy katet e saj godina ka 8 klasa me nga 24 nxënës, 2 klasa për parashkollor, 4 laboratorë kimie, fizike, biologjie, bibliotekë, sallë mësuesish, dhomë mjeku dhe psikologu.
Shkolla mban emrin e ish-drejtorit të Institutit të Ndërtimit, inxhinierit të ndjerë, Agron Hysenlliu, i cili humbi betejën nga COVID-19 një vit më parë, duke lënë në mes projekte zhvillimi për shumë lagje e zona në Tiranë, një pjesë e të cilave u prekën nga lëkundjet e forta sizmike.
Inxhinier Agron Hysenlliu, ndërroi jetë më 15 nëntor të vitit 2020 pasi nuk e fitoi dot betejën me COVID-19. Ai mbante postin e drejtorit të Institutit të Ndërtimit.
Fraksion.com