Në Beograd u mbajt Parada e Krenarisë
Nën sloganin “Dashuria është ligj”, pjesëtarë të komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual, transgjinor) janë mbledhur të shtunën në Beograd për të shënuar Paradën e Krenarisë për këtë vit.
Qindra persona kanë marshuar nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit serb, duke kërkuar që të miratohet ligji, i cili u mundëson pjesëtarëve të këtij komuniteti, të regjistrojnë unione mes gjinisë së njëjtë.
Qëllimi i Paradës së këtij viti, siç është thënë nga organizatorët, ka qenë rritja e vetëdijes për rastet e dhunës dhe diskriminimit kundër anëtarëve të këtij komuniteti.
Kërkesat janë bërë edhe para ndërtesave të Qeverisë dhe Parlamentit, afër të cilave kanë marshuar aktivistët.
Kjo është Parada e parë e Krenarisë që është mbajtur në Beograd, prej shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
Parada është thënë të jetë mbajtur duke respektuar masat kundër pandemisë, pasi pjesëmarrësit kanë mundur të jenë pjesë e organizimit vetëm nëse kanë pasur certifikatë të vaksinimit kundër koronavirusit, test negativ në këtë virus, apo dëshmi se kanë kaluar sëmundjen COVID-19, që shkakton koronavirusi në gjashtë muajt e fundit.
Testet e shpejta po ashtu kanë qenë të qasshme në qytet.
Në mesin e pjesëmarrësve kanë qenë, Komisionarja për Mbrojtje të Barazisë, Brankica Jankoviq, ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey dhe shumë ambasadorë nga vende të Bashkimit Evropian.
Prej vitit 2014, Paradat e Krenarisë janë organizuar pa incidente në Serbi, ndonëse nën masa të rrepta të sigurisë.
Policia ka bllokuar grupet e krahut të djathtë që t’i qasen vendit ku është mbajtur parada./rel
Fraksion.com