AktualitetBota+Të fundit

Milley: Telefonatat me Kinën ishin “plotësisht” të përshtatshme

Komandanti më i lartë ushtarak amerikan tha të premten se telefonatat që kishte bërë me homologun e tij kinez në muajt e fundit kaotikë të presidencës së Donald Trumpit ishin “plotësisht brenda detyrave dhe përgjegjësive” të punës së tij.

Në komentet e tij të para publike mbi bisedat, Gjeneral Mark Milley tha se telefonatat ishin “rutinë” dhe ishin bërë “për të qetësuar si aleatët ashtu edhe kundërshtarët në rastin në fjalë me qëllimin, që të sigurohet stabiliteti strategjik.” Shefi i Shtabit të Përgjithshëm foli me agjencinë Associated Press dhe një gazetar tjetër që udhëtonin me të në Evropë.

Gjeneral Milley ka qenë në qendër të debateve mes njoftimeve se kishte bërë dy telefonata me gjeneralin Li Zuocheng të ushtrisë kineze për ta siguruar atë se Shtetet e Bashkuara nuk do të hynin në luftë me Kinën.

Përshkrimet e telefonatave të bëra tetorin e kaluar dhe në janar ishin pjesë e fragmenteve nga libri i ri “Peril” i gazetarëve të “Washington Post-it”, Bob Woodward dhe Robert Costa. Sipas librit, gjeneral Milley i tha gjeneralit Li se do ta paralajmëronte atë në rast të një sulmi.

Të premten gjenerali Milley bëri vetëm disa komente të shkurtra në mbrojtje të telefonatave, duke thënë se ai ka në plan të japë një shpjegim më të detajuar për këtë çështje para Kongresit kur të dëshmojë në një seancë nga fundi i shtatorit.

“Mendoj se është më mirë që t’i kem të rezervuara komentet derisa ta bëj një gjë të tillë para ligjvënësve që kanë përgjegjësinë ligjore të ushtrojnë mbikëqyrje ndaj ushtrisë amerikane,” tha gjeneral Milley. “Do të ofroj gjithë informacionin që Kongresi do të më kërkojë pas dy javësh.”

Gjeneral Milley dhe Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin janë planifikuar të dëshmojnë më 28 shtator para Komisionit të Senatit për Shërbimet e Armatosura, në një seancë që ishte parashikuar të përqendrohej tek tërheqja e ushtrisë amerikane nga Afganistani dhe evakuimi kaotik i amerikanëve, afganëve dhe të tjerëve nga ai vend.

Megjithatë tani zoti Milley pritet të përballet me pyetje të ashpra lidhur me telefonatat të cilat u bënë gjatë muajve të fundit të mandatit të Presidentit Trump, ndërsa ai sfidonte rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020.

Telefonata e dytë, më 8 janar, u bë dy ditë pasi një turmë e dhunshme sulmoi Kapitolin e SHBA-së në një përpjekje për të parandaluar Kongresin të certifikonte fitoren e Presidentit Joe Biden.

Një komision i posaçëm i Dhomës së Përfaqësuesve, që po heton trazirat e 6 janarit në Kapitol, ka kërkuar detaje rreth telefonatave të gjeneralit Milley.

Ligjvënësit amerikanë, demokrati Bennie Thompson dhe republikania Liz Cheney, drejtues të komisionit, kanë kërkuar gjithashtu informacione në lidhje me zgjedhjet e nëntorit, transferimin e pushtetit nga zoti Trump tek zoti Biden dhe trazirat.

Gjenerali Milley u emërua shef i shtabit të përgjithshëm nga ish-presidenti Trump në vitin 2019 dhe ka mbetur në atë post në administratën e zotit Biden. Në këtë post, ai është këshilltari kryesor ushtarak i presidentit dhe sekretarit të mbrojtjes.

Shtëpia e Bardhë dhe shefi i Pentagonit kanë thënë se ata vazhdojnë të kenë besim të plotë te gjenerali Milley.

Sipas librit të ri, zoti Milley, i frikësuar nga veprimet e Presidentit Trump në fund të mandatit të tij, telefonoi dy herë homologun e tij kinez për ta siguruar atë se SHBA nuk do të sulmonte Kinën. Njëra telefonatë u bë më 30 tetor, katër ditë para zgjedhjeve. E dyta ishte më 8 janar, më pak se dy javë para inaugurimit të zotit Biden dhe dy ditë pas kryengritjes në Kapitol nga mbështetësit e Trump.

Disa ligjvënës amerikanë kanë thënë se Milley ka tejkaluar autoritetin e tij dhe kanë bërë thirrje që zoti Biden ta shkarkojë atë. Zoti Trump e quajti gjeneralin Milley si tradhtar, dhe “krejtësisht të çmendur” dhe tha se zoti Milley “nuk ia kishte përmendur asnjëherë telefonatat me Kinën.”

Presidenti Biden u tha gazetarëve pasi u bënë të njohura fragmentet e librit se “kam besim të madh te gjeneral Milley.”

Zyra e gjeneralit Milley, në një deklaratë këtë javë, tha se telefonatat kishin për qëllim të përçonin një ndjenjë “sigurie” tek ushtria kineze dhe ishin në përputhje me përgjegjësitë e tij si kreu i shefave të përgjithshëm.

Në deklaratën e zëdhënësit të zotit Milley, thuhej gjithashtu se thirrjet ishin bërë “në koordinim dhe komunikim” me Pentagonin dhe agjencitë e tjera federale.

Sipas librit, një kopje të të cilit e ka agjencia AP, Milley siguroi homologun e tij kinez në telefonatën e parë se “qeveria amerikane është e qëndrueshme dhe gjithçka do të jetë në rregull”. Aty thuhet se ai i tha gjeneralit Li, se “ne nuk do të sulmojmë ose kryejmë ndonjë operacion kinetik kundër jush.”

“Nëse do të sulmojmë, do t’ju telefonoj paraprakisht. Nuk do të jetë surprizë,” citohet të ketë thënë Milley.

Gjenerali Milley foli me një numër udhëheqësish të tjerë ushtarakë në të gjithë botën pas trazirave të 6 janarit; ato përfshinin udhëheqës nga Mbretëria e Bashkuar, Rusia dhe Pakistani. Një përshkrim i telefonatave në janar përmend “disa” homologë të tjerë me të cilët zoti Milley shkëmbeu mesazhe të ngjashme, se qeveria amerikane ishte e fortë dhe në kontroll.

Telefonata e dytë kishte për qëllim të qetësonte Kinën për ngjarjet e 6 janarit. Por sipas librit, nuk kishte qenë aq e lehtë që të qetësohej gjenerali Li, edhe pasi gjenerali Milley i premtoi atij se “ne jemi 100 për qind të qëndrueshëm. Gjithçka është në rregull. ”

Në përgjigje të librit, senatori republikan Marco Rubio, i kërkoi presidentit Biden të shkarkonte gjeneralin Milley, duke thënë se gjenerali punoi për të “sabotuar në mënyrë aktive” ish-presidentin Trump, që ishte komandant i përgjithshëm.

 

Fraksion.com