Situata e zjarreve në vend; Ministria e Mbrojtjes jep detajet
04 gusht, ora 10.00
Pas një pune të palodhur të efektivëve të FA dhe punonjësve të Bashkisë, Shërbimit Pyjor si dhe Forcave Zjarrfikëse është bërë e mundur shuarja e të gjitha vatrave të zjarrit në Gjirokastër, por situata po mbahet nën monitorim.
Puna nga forcat operacionale po vijon për shuarjen e zjarrit në Gadishullin e Karaburunit. Një pjesë e forcave ndodhen në fshatin Delisuf, ku është riaktivizuar vatra e zjarrit. Gjithashtu po punohet për shuarjen e flakëve edhe nga ajri.
Zjarri në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau i Dejës është izoluar në pjesën më të madhe të tij. Kanë mbetur vetëm disa vatra të vogla, te cilat po kontrollohen nga forcat në terren.
Zjarri në qytetin Fushë – Arrëz, bashkia Fushë – Arrëz, vazhdon me intensitet të ulët. Është izoluar një pjesë e madhe e vatrës dhe po punohet për shuarjen përfundimtare.
Zjarri ka përparuar në një pjesë shkëmbore, pak e pyllëzuar në fshatin Lukan, njësia administrative Selishtë, në bashkinë Dibër. Vatra mbetet aktive, por pa probleme për përhapje të mëtejshme. Edhe aty janë angazhuar forca të pushtetit vendor, të cilat po mbajnë situatën nën kontroll.
Në fshatin Zogas, në Skrapar, zjarri mbetet aktiv, por pa rrezik për banesat. Situata po ndiqet në vijim.
Në Elbasan, në vendin e quajtur “Gropat e Borës”, midis fshatrave Cerujë dhe Gur i Zi, njësia administrative Labinot – Mal, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pylli me bimësi të ulët. Situata edhe këtu është në monitorim.
03 gusht, ora 20.00
Në gadishullin e Karaburunit, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar të jetë aktiv zjarri. Në vendngjarje ndodhen 521 forca ushtarake, dhjetëra nga pushteti vendor si forca zjarrfikëse dhe të emergjencave civile, 50 mjete. Po punohet për fikjen e flakëve edhe nga ajri me helikopterë të FA edhe të kontraktuar.
Një vatër zjarri është zhvilluar në Himarë, Livadhë rreth orës 11:00; 15 efektivë të Bashkisë Himarë po e mbajnë nën kontroll situatën.
Në qarkun e Shkodrës, zjarri ka rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pemë të ndryshme në fshatin Cukal, njësia administrative Shllak, bashkia Vau Dejës. Forcat e shërbimit vendor të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin (MZSH) në Vaun e Dejës sëbashku me forcat pyjore dhe banorë nga komuniteti po punojnë për shuarjen e vatrës, e cila është problematike, pasi po favorizohet nga erërat. Deri tani janë djegur 10 ha kullotë, ndërsa situata është në monitorim.
Në bashkinë Gjirokastër zjarri ka marrë përmasa të mëdha, duke rrezikuar fshatin Krinë, Asim Zeneli dhe Arshi Lengo. Është raportuar një humbe jete dhe një e plagosur. Puna në terren vijon me të gjitha kapacitetet e qarkut Gjirokastër (MZSH Gjirokastër, Dropull, Tepelenë, Libohovë, Përmet), bashkia Sarandë dhe mjete të FA. Po punojnë Forca Zjarrfikëse, Policia Shtetit, forca të Emergjencave Civile, Forca të Armatosura, Urgjenca Mjekësore me 5 autoambulanca. Po punohet për shuarjen e flakëve edhe nga ajri me helikopterë.
Po ashtu është riaktivizuar vatra në kodrat e fshatit Qesorat, njësia administrative Lunxhëri, bashkia Gjirokastër. Në vendgjarje kanë shkuar 6 zjarrfikës me 2 mjete dhe situata po ndiqet me seriozitet.
Është riaktivizuar vatra e zjarrit në pyllin e fshatit Shetaj, njësia administrative Ishëm të Durrësit. Forcat e Policisë së Shtetit, punëtorë të ndërmarrjeve të bashkisë Durrës dhe dy mjete zjarrfikëse me 6 efektivë po punojnë për të mbajtur nën kontroll flakët.
Shërbimi i zjarrfikëses në Kavajë ka njoftuar për një vatër zjarri në fshatin Domen në lagjen Xhelezaj. Në vendgjarje ndodhen mjeti zjarrfikës me efektivët e MZSH Kavajë.
Në Tiranë, në rrugën “Dine Hoxha”, tek Bregu i Lumit, në Paskuqan ka rënë zjarr në një pikë skrapi. Tre shërbime zjarrfikëse si dhe shërbimet e policisë po merren me normalizimin e flakëve. Nuk ka rrezik për banesat.
Në qarkun e Beratit u njoftua se ka rënë zjarr në shkurre në fshatin Zogas, në Skrapar.
Në vendngjarje kanë shkuar forcat dhe mjetet e MZSh Skrapar, të cilët kanë bërë izolimin e flakëve.
Fraksion.com