AktualitetTë fundit

Shtrinë përtokë gazetarin pasi nuk kapën dot trafikantin, policët: Po na bëhej pengesë për zhvillimin e operacionit

Gazmir Cani, ishte i riu i cili “nxori” zbuluar paaftësinë e Forcave Operacionale të Tiranës, i cili u iku me Benzin e tij në mënyrë spektakolare nga duart efektivëve që po zhvillonin një operacion anti-drogë në zonën e quajtur ‘Varri i Bamit” në Tiranë. Një skenë si nëpër filma aksion ishte momenti kur ai i dha gaz makinës, mirëpo në dëshminë e tij kur është marrë në pyetje, 26 -vjeçari, shoferi i Mercedes Benz, me targë AA 909 YE  ka mohuar që të ketë qenë pjesë e grupit kriminal që po merrej me trafikun e drogës. Ai ka dëshmuar se ka ikur me shpejtësi pasi ka menduar se po i vidhnin makinën, ndonëse në videon që  sollën mediet kishte efektiv të veshur me uniformë policie dhe u dëgjuan thirrjet “Ndal Policia”, përtej fjalëve banale që policët përdorën në ato momente.

26-vjeçari u arrit të neutralizohej nga policia rreth 200-300 metra më tutje ku pas kontrollit të ushtruar në makinën e tij, nuk u gjet asgjë e dyshimtë, as për lëndë narkotike apo armë, e për këtë arsye ndaj tij është ngritur vetëm një akuzë, ajo e “Kundërshtimit të punonjësit të policisë të rendit publik”, parashikuar nga neni 236/2 i K. Penal.

Por në dosjen hetimore, flitet edhe për momentin e ndalimit të gazetarit Egys Gjencaj. Aty thuhet se ai po pengonte punën e policisë, prandaj u ndalua, mirëpo sapo ka dhënë badge-in e gazetarit (bejxhin) ai është liruar.

“…në momentin e ndërhyrjes para dyqanit të pikës së mjeteve është parë një person, duke filmuar me telefon në dorë, në këtë moment nga shërbimet e policisë duke mos qënë e qartë se çfarë po kërkonte ky person. I është kërkuar të largohej, por ai ka vazhduar të filmojë duke u afruar më shumë dhe është bërë pengesë e punonjësve të policisë gjatë zhvillimit të operacionit. Në këto rrethana punonjësit e policisë kanë bërë bllokimin e tij dhe në moment e kanë shtrirë në tokë për ta prangosur dhe ka thënë se ishte gazetar. Pas paraqitjes së dokumentit (bejxhit), të cilin e ka marrë tek makina, është identifikuar si gazetar me emrin Ergys Gjencaj dhe është lënë i lirë…”-thuhet në dosje.

 

Fraksion.com