AktualitetTë fundit

Gjashtë të vaksinuar janë prekur nga “Delta”, Bino: Po diskutojmë për dozën e tretë

Shefja e epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, thotë se 6 raste të infektuar me variantin Delta në Shqipëri, kanë qenë të vaksinuar me vaksina të ndryshme anti-Covid.

Duke folur në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Bino tha se dy raste kanë qenë të vaksinuara me AstraZeneca në Britani, 2 raste të tjera të vaksinuara në Gjermani me një dozë Pfizer dhe 2 raste të tjera me Coronavac.

Por shefja e epidemiologjisë në ISHP sqaroi se pavarësisht infektimit me variantin Delta, këta persona nuk kanë pasur nevojë për kujdes spitalor për shkak se ishin të vaksinuar.

“Janë 6 raste që kanë qenë të vaksinuar. 2 raste kanë qenë të vaksinuar në Mbretërinë e Bashkuar me AstraZeneca, 2 raste të tjera kanë qenë me 1 dozë të Pfizer në Gjermani dhe dy raste të tjera kanë qenë të vaksinuar me Coronavac. Asnjë nga rastet të cilët kanë qenë të vaksinuar nuk ka pasur nevojë për kujdes spitalor. Kemi të dhëna nga shërbimi infektiv që ka dhe raste tek të rinjtë”.

Sa i përket mundësisë për përdorimin e një doze të tretë të vaksinave, Bino u shpreh se kjo masë po diskutohet.

“Planifikimi për një dozë të tretë është duke u marrë në konsideratë. Do të analizohet nga grupi i ekspertëve në bazë të të dhënave që do të kemi në dispozicion nga të dhënat e studimeve”.

 

Fraksion.com