AktualitetPolitikëTë fundit

“Duart e krimit…” ; Petro Koçi thirret sot në SPAK për të dëshmuar për deklaratat

Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi, është thirrur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), për të dëshmuar në lidhje me deklaratat e bëra disa ditë më parë në ‘Report Tv’ se në Fier duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike.

Koçi do të duhet të paraqitet në SPAK rreth orës 10-45, por nuk dihet ende nëse do të shkojë apo jo.

Kujtojmë se Koçi i bëri deklarata e forta më 16 korrik, fillimisht përmes një postimi në Facebook dhe më pas më të zgjeruara në një intervistë për Report Tv.

“Efektet e SPAK dhe të Reformës në Drejtësi po japin rezultat.  Bota e krimit dhe te korruptuarit kanë filluar të ndjejnë frikë nga ligji. Këto efekte i mirëpresim edhe në Fier ku duart e krimit janë shtrirë mbi financat publike.  Protagoniste të trafikut të drogës dhe të dhunës tashmë kanë legalizuar subjekte biznesi që fitojnë tendera publike. Këtë e realizojnë ose nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta me ndonjë titullar institucionesh ose nëpërmjet kërcënimit të zyrtareve të caktuar që ekzekutojnë prokurimet si edhe nëpërmjet eliminimit të konkurrenteve në procesin e tenderimit duke kërcënuar pronarët e subjekteve të biznesit. Të fuqizuar sidomos duke lare paratë e pista në industrinë e ndërtimit ata vazhdojnë të përvetësojnë fitime kolosale nga taksat tona. Organet ligjzbatuese nuk duhet të lejojnë që qyteti ynë t’i nënshtrohet botës së krimit të organizuar”, tha ish-Zv. ministri i Mbrojtjes Petro Koçi 10 ditë më  parë.

Kjo është një deklaratë befasuese, por dhe e guximshme, duke qenë se Bashkia e Fierit drejtohet pikërisht nga socialistët dhe vjen në një kohë kur SPAK ka qenë shumë aktiv. Si fillim në “rrjetën” e SPAK ra kryebashkiaku i Lushnjes, Fatos Tushe i akuzuat për shpërdorim detyre dhe abuzim me tenderët. Më pas ishte operacioni në Ministrinë e Brendshme ku u arrestuan zyrtarë dhe ish-zyrtarë për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit dhe së fundmi lënia në arrest shtëpia te ish-zv. ministres së Brendshme, Rovena Voda e cila në këmbim të një vendi pune mori 2 mijë euro, celular dhe një arkë me peshk.

 

Fraksion.com