A kanë të gjithë një monolog të brendshëm?
Nga Donavyn Coffey
“Zëri i vogël në kokën tuaj” mund të jetë kritiku juaj më i keq por dhe mbështetësi më i madh. Dihet që ai të ndihmon me udhëzime, të jep këshilla, përsërit biseda të vështira, dhe madje të kujton të shkruash disa gjëra në listën e gjërave që duhen blerë.
Por a kanë të gjithë një monolog të brendshëm? Për një kohë të gjatë, supozohej se një zë i brendshëm ishte thjesht pjesë e të qenit njeri. Por rezulton se nuk është kështu. Jo të gjithë e praktikojnë këtë gjë.
“Me monolog të brendshëm, ne nënkuptojmë pasjen e një diskutimi privat që i drejtohet vetvetes, dhe që kryhet pa ndonjë artikulim verbal të jashtëm”-thotë Helana Levenbruk, studiuese e vjetër e psikologjisë dhe neurokonjicionit dhe drejtuese e ekipit të gjuhës në CNRS, Institutin Kombëtar Kërkimor Francez.
Me diskutimin e brendshëm, ju gati e “dëgjoni” zërin tuaj të brendshëm, thotë ajo për “Live Science”. Ju jeni të vetëdijshëm mbi tonin dhe intonacionin e atij zëri. Për shembull, zëri mund të “tingëllojë” i zemëruar ose i shqetësuar.
Studimet kanë treguar se fëmijët e moshës 5 deri në 7 vjeç mund të përdorin një zë të brendshëm, dhe disa studime sugjerojnë se fëmijët mund të përdorin një formë të fonetikës së brendshme që nga mosha 18-21 muajsh.
Hulumtimi i Lavenbruk në vitin 2019,i analizoi monologët e brendshëm në 3 dimensione.
I pari është dialogu. Njerëzit mund të kenë një fjalim kaq të ndërlikuar të brendshëm, saqë midis ekspertëve ka debate nëse është e saktë që të gjithë fjalimet e brendshme të njerëzve t’i quajmë monologje.
Një monolog ndodh kur mendon me vete diçka të tipit “Kam nevojë të shkoj në dyqan të blej bukë”. Por herë të tjera, kur arsyetoni, ju mund të argëtoheni duke angazhuar në këtë proces disa këndvështrime, gjë që e bën atë si një bisedë, dialog.
Dimensioni i dytë është kondensimi, një masë e asaj se sa shumë apo pak fjalë është komunikimi juaj i brendshëm. Ndonjëherë mendoni me fjalë ose fragmente. Por herë të tjera, sidomos kur jeni duke u përgatitur për një bisedë ose prezantim, ka të ngjarë të jeni duke menduar në fjali dhe paragrafë të plotë.
Dimensioni i tretë është qëllimshmëria. A jeni duke u përfshirë enkas në bisedën me vetveten? Për arsye që ende nuk i dimë, nganjëherë fjalimi i brendshëm thjesht mund të vijë tek ju ose të zhvendoset në tema krejtësisht të rastësishme dhe në dukje të shkëputura.
Por një element ngatërrues për një kohë të gjatë në studimin e kësaj dukurie, ka qenë fakti që në studime të ndryshme njerëzit i shprehnin mendimet e tyre me fjalë, thotë Lavenbruk, edhe nëse nuk po mendonin saktësisht me fjalë.
Supozimi i vjetër, sipas të cilit të gjithë njerëzit mbështeten tek një zë të brendshëm, u sfidua për herë të parë në fund të viteve 1990nga kërkimet e drejtuara nga Rusëll Hërlbërt, psikolog në Universitetin e Nevada, Las Vegas. Ai studioi monologun e brendshëm të pjesëmarrësve, duke u kërkuar atyre të mbanin një biper (sinjalizues).
Sa herë që binte zilja e pajisjes, ata duhet të shkruanin atë që po mendonin apo përjetonin në mendjen e tyre pak para atij momenti. Në fund të ditës, ata u takuan me një studiues për të shqyrtuar përgjigjet e tyre. Ndoshta pjesëmarrësi kishte shkruar “Unë duhet të blej pak bukë”. Më pas studiuesi do ta pyeste nëse kjo ishte ajo që ai kishte menduar vërtet. “Apo keni menduar vetëm‘bukë’? Apo mos keni qenë të uritur, mos keni pasur një ndjesi në stomakun tuaj?”- u shpreh Lavenbruk.
Pas çdo takimi me studiuesen, pjesëmarrësit në studim ishin më të aftë në artikulimin e mendimeve të tyre të vërteta, tha ajo. Në fund studimi zbuloi se disa njerëz kishin një të folur të brendshëm sa herë që binte biperi, gati “si një radio në kokën e tyre”.
Por të tjerët kishin më pak të folur të brendshëm se zakonisht, dhe disa nuk kishin fare. Ata përjetonin imazhe, ndjesi dhe emocione, por jo një zë apo fjalë. Mungesa e një monologu të brendshëm, ka qenë e lidhur me një gjendje të quajtur “afantazia”, ose “verbëri e syrit të mendjes”.
Njerëzit që përjetojnë “afantazia” nuk përjetojnë vizualizime në mendjen e tyre. Ata nuk munden ta fotografojnë dhomën e tyre të gjumit apo fytyrën e nënës së tyre. Afantazia dhe mungesa e një zëri të brendshëm nuk janë domosdoshmërisht të këqija.
Por një kuptim më i mirë i të folurit të brendshëm dhe i një vargu të gjerë procesesh mendimi që përjetojnë njerëzit,mund të jenë veçanërisht të rëndësishme “për metodat e të mësuarit dhe arsimin në përgjithësi” thotë Lavenbruk.
Deri më tani, llojet e fjalimit të brendshëm, dhe përvojat që mund të kenë fëmijët dhe burimet që ata mund të kenë nevojë për të mësuar, ka të ngjarë të jenë nënvlerësuar jashtëzakonisht, thotë studiuesja./ Livescience, Bota.al
Fraksion.com