SHBA, Rusia dhe militarizimi i Arktikut
Në samitin e kësaj jave të Këshillit të Arktikut në Islandë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dha alarmin për përforcimin ushtarak të Rusisë në rajon.
Këshilli i Arktikut përbëhet nga tetë anëtarë që kanë sovranitet mbi territoret brenda Rrethit Arktik: Kanadaja, Danimarka, Finlanda, Islanda, Norvegjia, Rusia, Suedia dhe Shtetet e Bashkuara.
Vetëm një mijë kilometra nga Poli i Veriut, Rusia po demonstron forcën e saj ushtarake. Edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, baza ushtarake ajrore e Rusisë Nagurskoye ishte një post i largët dhe i papërfillshëm. Tani, aktiviteti në bazë është shtuar dhe aty mund të ulen bombardues strategjikë bërthamorë. Kremlini po e projekton fuqinë e tij thellë në Arktik.
“Garantimi i paqes dhe i sigurisë në Arktik është një detyrë kryesore dhe përgjegjëse për këtë është Flota Veriore,” thotë Gjeneral major Igor Churkin i flotës veriore ruse.
Edhe NATO-ja ka rritur aktivitetin e saj ushtarak në Arktik. Muajt e fundit, bombarduesit e Forcave Ajrore amerikane janë stërvitur bashkë me forcat norvegjeze.
Përforcimi ushtarak krijoi një sfond të tensionuar për samitin e Këshillit Arktik që u mbajt të enjten në Rejkjavik, ndërsa Rusia mori kryesimin e radhës të forumit nga Islanda.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje anëtarëve të tjerë të Këshillit të kundërshtojnë përpjekjet e Moskës për të kontrolluar rrugët e transportit në Arktik, tani që ndryshimi i klimës po hap rrugë të reja. Ai shprehu shqetësim për përforcimin ushtarak të Rusisë, ndërkohë që Moska kritikoi veprimtaritë e NATO-s në rajon.
Aktiviteti ushtarak në Arktik paraqet një rrezik në rritje, thotë analistja e Arktikut Katarina Kertysova.
“Në mungesë të dialogut mes ushtarakëve ose të një forumi të përshtatshëm ku të mund të diskutohen shqetësime të tilla, po rriten gjasat e kalkulimit të gabuar, keqkuptimit apo një shkallëzimi aksidental,” thotë analistja.
Rusia thotë se dëshiron ta përdorë kryesinë e saj për t’u përqëndruar në zhvillimin e qëndrueshëm, në mbrojtjen e komuniteteve autoktone në Arktik dhe në çështjen e ndryshimit të klimës.
Shkencëtarët thonë se Arktiku po ngrohet dy herë më shpejt se rajonet e tjera dhe efektet janë dramatike. Në verën e vitit 2020, Siberia u prek nga një valë zjarresh shkatërrimtare. Shkrirja e shtresës nëntokësore të permafrostit, u fajësua për një rrjedhje të madhe nafte në Arktikun rus.
“Rusia e pranon që ka një problem. Por ajo i përqendron përpjekjet e saj tek përshtatja me kushtet e reja dhe jo tek strategjitë për të zbutur shkaqet e tyre,” thotë analistja Katarina Kertysova.
Në periferitë e takimit të nivelit të lartë të mërkurën, Sekretari Blinken zhvilloi një takim me homologun e tij rus Sergei Lavrov. Ai tha se Shtetet e Bashkuara kërkojnë një marrëdhënie të qëndrueshme me Rusinë, duke shtuar se Uashingtoni do të kundërpërgjigjej nëse, siç tha ai, ‘Rusia vepron në mënyrë agresive kundër nesh, partnerëve dhe aleatëve tanë.’
“Megjithatë, ka shumë fusha ku interesat tona kryqëzohen dhe mbivendosen dhe ne besojmë se mund të punojmë së bashku e t’i çojmë më tej këto interesa, pavarësisht nëse fjala është për COVID-in dhe pandeminë, luftën kundër ndryshimeve të klimës, programet bërthamore të Iranit dhe Koresë së Veriut, apo Afganistanin,” tha Sekretari Blinken.
Zoti Lavrov u përgjigj:
“Ne jemi të gatshëm të diskutojmë të gjitha çështjet pa përjashtim, por nën premisën që diskutimi të jetë i sinqertë, me faktet në tryezë, dhe natyrisht në bazë të respektit të ndërsjellë.”
Ky diskutim mund të zhvillohet në nivelin më të lartë, me një samit midis Presidentit amerikan Joe Biden dhe Presidentit rus Vladimir Putin të propozuar për javët e ardhshme. Ende nuk ka konfirmim zyrtar për një takim të tillë./voa
Fraksion.com