AktualitetTë fundit

Atentati; Ardi Veliu mbërrin në Elbasan. Dhjetra gëzhoja në makinën e viktimës dhe vendngjarje

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu ka mbërritur në Elbasan, pak minuta pas ekzekutimit të 41-vjeçarit Everest Çaka mbrëmjen e sotmë në lagjen “Skënderbe”.

Ndërkohë që makina e viktimës ndodhet ende në vendin e krimit me drita ndezur, prokurori dhe policia po kryejnë veprimet hetimore në vend.

Në makinë dhe përreth janë gjendur dhjetëra gëzhoja që dëshmojnë se ekzekutimi ka qenë i mirëmenduar dhe autorët janë siguruar për vrasjen e objektivit të tyre duke qëlluar disa herë.

Nga të shtënat mbeti e plagosur në dorë dhe bashkëshortja e viktimës.

Everest Caka me dy emra, akuzohej për vrasjen e Gëzim Alikajt, ekzekutimi i vëllait në Spanjë dhe eliminimi i kushëririt në Belgjikë

Everet Çaka ose i njohur ndryshe si Ibrahim Çaka rezulton të jetë akuzuar për vrasjen e Gëzim Alikajt në 2010.

Madje ai dyshohej atëhere të ishte ekzekutor direkt, pasi vëllai i viktimës i kishte vrarë vëllain në Spanjë disa vite më parë. Të përfshirë në ngjarje ishin dhe Elton Hyka dhe Ardit Spahiu.

Ndërkohë disa muaj më parë në Belgjikë u vra dhe kushëriri i Everest Çakës, Arjan (Ardit) Spahiu me tetë plumba në nëntor të 2020. Ndërkohë Arjan Spahiu del të ketë lidhje familjare me një tjetër personazh të njohur të krimit në Elbasan, Erion Alibej që e ka vëllain e burrit të motrës.

Alibej është i arrestuar tashmë si porositës i disa atentateve në Elbasan. Ai dyshohet se është organizator dhe porositës i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt në korrik 2020, teksa ka dyshime të forta se pikërisht ky person ka gisht dhe në vrasjen e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës.

Nuk mbetet me kaq, pasi Erion Alibej i janë ekzekutuar vëllai dhe xhaxhai në ”Masakrën e Bradasheshit” në 2018, ku të vrarë mbetën Endrit Alibej alias Ravik Dylgjeri, Arben Dylgjeri dhe turku Erdal Durunay.

Së për ngjarjen e sotme, u ekzekutua Everest Çaka gjatë një atentati në Elbasan, teksa e plagosur mbeti dhe gruaja e tij Silvana Caka.

 

 

 

Fraksion.com