AktualitetBota+Të fundit

Blinken viziton Afganistanin

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken bëri të enjten një vizitë të papritur në Afganistan për t’u dhënë sigurime udhëheqësve dhe publikut afgan pas vendimit të Presidentit Joe Biden për të tërhequr të gjitha trupat amerikane nga vendi.

Zoti Blinken u takua me Presidentin afgan Ashraf Ghani, kreun e ekzekutivit Abdullah Abdullah dhe personalitete civile, një ditë pasi Presidenti Biden njoftoi se të 2500 ushtarët e mbetur amerikanë në Afganistan do të ktheheshin në atdhe deri më 11 shtator, që përkon me 20 vjetorin e sulmeve terroriste, të cilat çuan në ndërhyrjen amerikane.

Zoti Blinken u përpoq të siguronte udhëheqjen afgane se tërheqja nuk nënkupton fundin e marrëdhënieve SHBA-Afganistan.

“Doja të demonstroja me vizitën time angazhimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara ndaj Republikës Islamike dhe popullit të Afganistanit,” i tha Sekretari Blinken Presidentit Ghani, gjatë takimit në pallatin presidencial në Kabul. “Partneriteti po ndryshon, por vetë partneriteti është i qëndrueshëm,” tha ai.

“Ne e respektojmë vendimin dhe po ndryshojmë përparësitë tona,” tha nga ana e tij zoti Ghani, duke shprehur mirënjohje për sakrificat e trupave amerikane.

Sekretari Blinken shkoi në kryeqytetin afgan nga Brukseli, ku ai dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin informuan zyrtarët e NATO-s mbi tërheqjen dhe ku shefi i NATO-s Jens Stoltenberg njoftoi se edhe trupat e aleancës do të largoheshin.

Zyrtarët janë përpjekur ta përligjin vendimin, duke thënë se misionet e udhëhequra nga SHBA dhe NATO-ja në Afganistan e kanë arritur qëllimin e tyre për të shkatërruar rrjetin al-Kaida të Osama bin Ladenit, që u bë shkak për sulmet e 11 shtatorit.

Por, ky argument është ndeshur me kritika nga disa ligjvënës amerikanë dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut, të cilët thonë se tërheqja do të rezultojë në humbjen e lirive që afganët fituan pas rrëzimit të talebanëve nga pushteti në fund të vitit 2001.

Më vonë, gjatë një takimi me zotin Abdullah, Sekretari Blinken përsëriti mesazhin e tij, duke thënë se “kemi hyrë në një kapitull të ri, por është një kapitull i ri që po e shkruajmë së bashku”.

“Ne jemi mirënjohës ndaj popullit tuaj, vendit tuaj, administratës suaj,” tha zoti Abdullah.

Pavarësisht nga ndihmat amerikane prej miliarda dollarësh, Afganistani ka një normë varfërie prej 52 përqind, sipas shifrave të Bankës Botërore. Kjo do të thotë që më shumë se gjysma e 36 milion afganëve jetojnë me më pak se 1.9 dollarë në ditë. Afganistani konsiderohet gjithashtu një nga vendet më të këqija në botë për gratë, sipas Institutit Georgetown për Paqen dhe Sigurinë e Grave.

Për shumë afganë, dy dekadat e fundit kanë qenë zhgënjyese, pasi korrupsioni ka përfshirë qeveritë e njëpasnjëshme dhe komandantët e fuqishëm të luftës kanë grumbulluar pasuri dhe kanë krijuar milici besnike të armatosura mirë. Shumë afganë druhen se pas largimit të trupave amerikane, kaosi në vend do të thellohet.

 

Fraksion.com