Serbia, vendi i parë në Europë që përdor vaksinën kineze kundër COVID-19. Vaksinohen punonjës shëndetësorë dhe qindra ushtarë
Serbia është kthyer në vendin e parë të Evropës, që ka nisur fushatën e vaksinimit masiv kundër koronavirusit, duke përdorur vaksinën kineze të kompanisë Sinopharm.
Zyrtarë shëndetësorë dhe qindra ushtarë pa uniforma kanë pritur në radhë për të marrë dozën e parë të kësaj vaksine në Beograd.
“Kjo është mënyra e vetme për t’iu kthyer jetës normale”, ka thënë ministri serb i Shëndetësisë, Zllatibor Llonçar më 19 janar, i cili njëherësh ka qenë personi i parë që ka marrë këtë vaksinë përmes një transmetimi televiziv.
“Këto të gjitha janë vaksina shumë të sigurta”, ka thënë Llonçar nga Instituti i Virologjisë në Beograd.
Ministri serb i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanovic, ka thënë se ai dhe më shumë se 700 anëtarë të ushtrisë janë vaksinuar me vaksinën kineze.
Vaksina e kompanisë Sinopharm është kthyer në burim të polemikave në shtetet perëndimore. Kina ka miratuar përdorimin e kësaj vaksine në fund të vitit të kaluar.
Ndonëse nuk janë publikuar të dhëna të detajuara rreth efikasitetit të vaksinës, kompania që ka prodhuar atë ka përmendur 79 % efekt të vaksinës, bazuar në të dhënat fillestare.
Kjo shifër është më e vogël sesa 95 për qind efektivitet, sa është raportuar të kenë vaksinat e prodhuara nga Perëndimi, sikurse ato të kompanive, Pfizer/BioNTech apo Moderna.
Serbia, e cila javën e kaluar ka pranuar 1 milion doza të vaksinës Sinopharm, ka lidhje të ngushta me Pekinin, derisa kompanitë kineze, kanë investuar miliarda euro në këtë vend të Ballkanit Perëndimor me 7 milionë banorë.
Fraksion.com