“Kanë 8 vite që presin”; Tabaku: Banorët në Zall-Bastar rrezikojnë jetën për një urë
Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku vizitoi sot në Zall-Bastar disa banorë, ku një pjesë është e izoluar për shkak të reshjeve dhe pamundësisë për të kaluar një urë të vjetër dhe të rrezikshme.
“Jemi vetëm 15 km larg Tiranës, ndërkohë që këtu nuk ka absolutisht asnjë lloj investimi, nuk ka asnjë zyrtar të qeverisë. Dhe kemi një situatë ku 2000 banorë të fshatit Vilë që ndodhen në anën tjetër të urës, janë të izoluar. Sot kur Shqipëria është nën shi, kur qeveritarët e zhytur në luks udhëtojnë për dreka dhe për darka me oligarkët dhe me delegacionet me burimet financiare të buxhetit të shtetit, sot kur qeveria tallet. Banorët e harruar të Zall-Bastarit vuajnë vetëm si rezultat i investimit të munguar, që nuk i kushton asgjë buxhetit të shtetit, që është asgjë në krahasim me shpenzimet miliona euroshe që kjo qeveri ka bërë”, u shpreh Tabaku.
“Nuk ka pse të këtë qytetarë të Tiranës, që kanë 8 vite që presin një urë. Nuk ka pse të ketë qytetarë që diskriminohen politikisht, pse janë të majtë e të djathtë, për të marrë fondet e rindërtimit apo për t’iu rregulluar shtëpitë”, tha ajo.
“Ka ardhur koha që t’i themi mjaft përdorimit politik, t’i themi mjaft qeveritarëve që vetëm abuzojnë me paratë e shqiptarëve, me taksa paguesit e ndershëm si këta që kam takuar sot këtu, që shkojnë për dreka e për darka e nëpër udhëtime dhe nuk shpenzojnë as 1/10 e atyre fondeve për të siguruar kushte minimale jetese”, theksoi Tabaku.
Fraksion.com