AktualitetEkonomiTë fundit

BB: Shqipëria dhe Mali i Zi, rimëkëmbje më të madhe ekonomike për shkak të turizmit

Raporti i publikuar së fundmi nga Banka Botërore mbi perspektivën ekonomike për 2021, parashikon se ekonomia globale do të rritet me 4 %, duke shënuar një kthesë pas recesionit të vitit 2020 për shkak të pandemisë COVID-19.

Për Shqipërinë, Banka e Botërore parashikon se rritja ekonomike gjatë këtij viti do të jetë 5.1 %.

BB parashikon se rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor, pritet t’i rikthehet rritjes 3.5 % në 2021, duke parashikuar rikthimin e besimit të konsumatorit dhe biznesit dhe vënien nën kontroll të COVID-19.

“Rritja në Ballkanin Perëndimor pritet të rikthehet me 3.5 % në 2021 duke supozuar që besimi i konsumatorit dhe biznesit të rivendosen, ndërsa COVID-19 të vihet nën kontroll dhe paqëndrueshmëritë politike të lehtësohen. Ekonomitë e varura nga turizmi, veçanërisht Shqipëria dhe Mali i Zi, parashikohet të përjetojnë një kthim më të fortë sesa vendet e tjera të rajonit”, thekson BB.

Në raport, BB shton më tej se “rritja e detyrimeve fiskale në rajon ka zvogëluar hapësirën për mbështetje fiskale, ndërsa në të njëjtën kohë, buxhetet qeveritare do të shtrihen më tej nga shpenzimet shtesë, të nevojshme për të përballuar efektet e dëmshme ekonomike të shpërthimit të COVID-19”.

Sipas Banka Botërore, “përkundër këtyre, rritja afatmesme dhe produktiviteti në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut duhet të rriten duke përshpejtuar reformat strukturore në përgatitje për anëtarësimin në BE, duke menduar se negociatat për procesin e pranimit nuk do të vonohen”.

BB shton se “pritet që rajoni të përfitojë nga Plani Ekonomik dhe i Investimeve i BE-së, i miratuar së fundmi, që do të mobilizojë fonde për të mbështetur qëndrueshmërinë, kapitalin njerëzor, konkurrencën, tranzicionin e gjelbër dhe dixhital”.

Sipas raportit të BB, për të mbështetur rritjen ekonomike në 2021, vendet duhet të kufizojnë përhapjen e virusit, të hapin programe vaksinimi, të balancojnë borxhin në rritje me masa mbështetëse fiskale dhe të ndërmarrin reforma ambicioze për të përballur dëmin e shkaktuar nga pandemia.

 

Fraksion.com