AktualitetTë fundit

Komiteti Teknik i Ekspertëve: Universitetet do të vazhdojnë online, vlerësim dinamik i situatës për shkollat

Mira Rakacolli, në cilësinë e drejtueses të Komitetit Teknik të Ekspertëve deklaroi sot se COVID-in nuk është thjesht betejë spitalore duke kërkuar nga të gjithë zbatimin e masave.

Duke folur për situatën e COVID në vend,  Rakacolli tha se “ka një rëndim të lehtë të situatës, por situata vazhdon të mbetet tërësisht e kontrolluar si në drejtim të testimeve, ashtu edhe në drejtim të menaxhimit të rasteve, të cilët kanë nevojë për trajtime më të specializuara mjekësore, qoftë në banesë, qoftë edhe në spitale”.

“Megjithatë, Komiteti Teknik duke qenë gjithmonë i vëmendshëm për t’i paraprirë rëndimit të situatës, siç e kemi thënë që do të kishim një vlerësim të masave me intensitet të mesëm të marra dy ose tre javë më parë, mendojmë se mësimi në universitete për shkak të situatës do të vazhdoj online edhe për një periudhë në varësi të vlerësimit dinamik që ne do të bëjmë”, tha ajo.

E pyetur për një mbyllje të përkohshme të sistemit parauniversitar, Rakacolli tha se, “vëmendja për shkollat ka qenë gjithnjë prioritet që në 14 shtator kur u vendos hapja e shkollave dhe është monitoruar me një vëmendje shumë të veçantë”.

“Ashtu sikurse ne kemi vënë në dijeni, nuk ka ndonjë ndryshim të rëndësishëm në influencën që hapja e shkollave të ketë pasur në një rëndim të shifrave të pandemisë. Ajo që Komiteti vlerëson në lidhje me shkollat është në radhë të parë mirëqenia e fëmijëve në përgjithësi është edhe orientimi që jepet edhe së fundmi nga OBSH”, tha Rakacolli.

Në shifrat që jemi tani, ajo theksoi se “vazhdojnë të mbetemi në nivel të qëndrueshëm, pa një rritje, dhe nuk diskutojmë për momentin sot”.

“Por është një gjë që ne e ndjekim çdo 24 orë. Nëse shifrat do të ndryshojnë dhe do të jenë brenda atyre numrave që kërkojnë masë të tillë, po. Jua theksoj gjithmonë se shifrat janë të qëndrueshme dhe ajo që ne kemi parasysh është mirëqenia e fëmijëve në përgjithësi”, deklaroi Rakacolli.

Të kemi parasysh edhe një gjë tjetër, vijoi Rakacolli, “në varësi me zhvillimet ditore dhe kryesisht ato të analizave javore që ne bëjmë, do të shikojmë nëse do të ketë nevojë për masa të tjera”.

“Nëse do të ndryshojnë numrat do të bëjmë masa të tjera, por ajo që ne vazhdojmë të themi me forcë është që beteja me COVID-in nuk është thjesht betejë spitalore. Beteja me COVID-in është betejë territori dhe është betejë e të gjithëve, nuk është betejë vetëm e sistemit spitalor. Vetëm nëse do të zbatojmë të gjithë ato masa që ne me shumë forcë i kemi thënë vazhdimisht, kemi kërkuar me shumë këmbëngulje zbatimin e tyre, vetëm në këtë mënyrë do ta ndalojmë epideminë dhe jemi akoma në kushte të llogaritura mirë që mundet fare mirë ta ndalojmë. Në vendimet që marrim, jemi të orientuar nga numrat dhe nga rekomandimet e OBSH, kolegët tanë në rajon e Europë, e botë. Të vazhdojmë të mbajmë maskat, të respektojmë ato që ne i i shtruam me forcë javën e fundit, të mos shkojmë në lokale, të mos grumbullohemi më shumë se 10 veta, të evitojmë shumë pjesëmarrjen në ceremonitë familjare të çfarëdolloj qofshin ato të kufizojmë pjesëmarrjen tonë në aktivitete kulturore sportive dhe të zbatojmë protokollin e sigurisë që ka të bëjë me gjëra të thjeshta, por gjëra shpëtimtare: maska, distanca, higjiena”, deklaroi Rakacolli.

 

Fraksion.com