Ku ndryshon politika e jashtme e zotit Trump nga ajo e zotit Biden?
Si kandidatë të dy partive politike rivale, Presidenti Donald Trump dhe ish-Nënpresidenti Joe Biden kanë pikëpamje të ndryshme sesi Shtetet e Bashkuara duhet të ndërveprojnë me pjesën tjetër të botës.
Në një plan të përgjithshëm, ndarja mund të shihet në doktrinën “Amerika e Para” të Presidentit Trump dhe nga ana tjetër, të përqafimit që zoti Biden i ka bërë një politike për bashkëpunim më të madh ndërkombëtar.
Më poshtë renditën disa nga fushat kryesore që ilustrojnë qasjet e ndryshme të kandidatëve për president lidhur me politikën e jashtme amerikane.
NATO
Zoti Trump e vendosi menjëherë në shënjestër aleancën, duke filluar me fushatën e tij presidenciale në vitin 2016. Ai u kërkoi vendeve të tjera anëtare të rrisin shpenzimet për mbrojtje. Disa vende e kanë përmbushur objektivin e shpenzimeve të vendosura nga NATO në 2014, përpara se zoti Trump të merrte detyrën. Por shumë vende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, ndaj dhe në fillim të këtij viti Presidenti Trump tërhoqi 12 mijë trupa nga Gjermania ndërsa e akuzoi atë se ka përfituar nga Shtetet e Bashkuara.
Gjatë një debati në qershor të 2019 zoti Biden e cilësoi NATO-n “aleancën e vetme dhe më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara”. Ai ka paralajmëruar se ajo rrezikon “të zhbëhet” në rast rizgjedhjeje të zotit Trump. Ish-nënpresidenti kërkon t’i japë përparësi rivendosjes së partneriteteve të tilla ndërkombëtare.
Rusia
Zoti Biden është zotuar të përballet me Presidentin rus Vladimir Putin lidhur me ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane dhe çështje të tjera. “Nuk e kuptoj pse ky president nuk është i gatshëm të përballet me Putinin kur ai po jep shpërblime për të vrarë ushtarët amerikanë në Afganistan dhe është i përfshirë në aktivitete që po kërkojnë të destabilizojnë gjithë NATO-n”, ka thënë zoti Biden.
Zoti Trump i ka hedhur poshtë përfundimet në të cilin kanë dalë agjencitë amerikane të zbulimit se Rusia ndërhyri në zgjedhjet 2016 duke kërkuar fitoren e tij (Trumpit). Presidenti e ka quajtur çështjen që çoi në ngritjen e akuzave që synonin shkarkimin e tij një “mashtrim” e “gjueti shtrigash”. Ai ka përmendur sanksionet amerikane ndaj Rusisë si provë të fuqisë së administratës së tij. “Askush nuk ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë sesa Donald Trumpi”, ka thënë ai.
Kina
Politika e zotit Trump ndaj Kinës ka evoluar gjatë presidencës së tij. Pasi priti Presidentin kinez Xi Jinping për një takim në muajt e parë të administratës së tij, marrëdhëniet më vonë u shndërruan në një luftë tregtare e cila u përshkallëzua me vendosjen e tarifave, përpara se të mbërrinte tek faza e parë e një marrëveshje tregtare në janar. Por me përhapjen e gjerë të koronavirusit në vitin 2020, zoti Trump fajësoi Kinën lidhur me pandeminë si dhe bëri presion për të bllokuar veprimtarinë në SHBA të aplikacioneve popullore me bazë në Kinë, si TikTok dhe WeChat. “Presidenti Trump është përballur me Kinës dhe do të vazhdojë të qëndrojë i fortë”, tha gjatë një debati në tetor Nënpresidenti Mike Pence.
Zoti Biden mbron një qëndrim më të ashpër mbi çështjet e të drejtave të njeriut në Kinë dhe situatën në Hong Kong, ndërsa ka bërë presion ndaj Pekinit mbi praktikat e saj tregtare. Senatorja Kamala Harris, e cila kandidon në emër të demokratëve për postin e nënpresidentes, tha gjatë debatit të saj me zotin Pence, se administrata e zotit Trump “e humbi luftën tregtare”. “Fermerët kanë falimentuar, për shkak të saj. Ne jemi futur në një recesion të prodhimit për shkak të saj”, tha zonja Harris.
Irani
Zoti Biden ishte nënpresident kur SHBA iu bashkua pesë fuqive të tjera botërore për të nënshkruar marrëveshjen e vitit 2015, e cila kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Zoti Trump u tërhoq nga marrëveshja, duke e quajtur atë “marrëveshjen më të keqe të negociuar ndonjëherë”. Ai vendosi sanksione të reja që kanë dëmtuar ekonominë e Iranit dhe e kanë shtyrë atë drejt rritjes së aktivitetit të tij bërthamor. Zoti Biden ka thënë se në rast fitoreje do të kërkonte rikthimin tek marrëveshja, por duke i kërkuar njëkohësisht Iranit që t’u përmbahet kushteve të saj.
Izraeli
Të dy kandidatët mbështesin një zgjidhje me dy shtete në përpjekjet e gjata për paqe mes Izraelit dhe palestinezëve.
Zoti Trump ka qenë një mbështetës i zëshëm i Kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu dhe ai ka marrë vendim të zhvendosë ambasadën amerikane në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem.
Zoti Biden e kritikoi këtë lëvizje, por nuk ka në plan ta zhbëjë atë. Ai ka propozuar hapjen e një konsullate amerikane në Jeruzalemin Lindor që do të ndihmonte në ndërveprimin me palestinezët. Kandidati demokrat ka vlerësuar ndërmjetësimin e administratës Trump për arritjen në javët e fundit të disa marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve të Izraelit me Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Por zoti Biden ka thënë se zoti Trump nuk kishte “asnjë plan koherent për politikën e jashtme” përtej përparësisë së tij për të avancuar interesat amerikane.
Afganistani
Administrata e zotit Trump arriti një marrëveshje me Talibanët sipas së cilës trupat amerikan duhet të largohen nga ky vend deri në mes të vitit 2021. Por në një postim në twitter në tetor zoti Trump shkruante se dëshironte që tërheqja e trupave të përfundonte në fund të vitit 2020. Zoti Biden është shprehur për një qasje më të kujdesshme që bazohet tek kushtet në terren.
Koreja e Veriut
Zoti Trump ka zhvilluar dy cikle bisedimesh me udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un dhe u takua për herë të tretë në kufirin ndërkorean, si pjesë e një përpjekje për të siguruar çarmatimin bërthamor të gadishullit korean. Bisedimet nuk sollën si rezultat asnjë angazhim, por Pheniani nuk ka kryer asnjë provë me armë bërthamore apo raketa balistike që nga viti 2017. Zoti Trump thotë se ai dhe Kim Jong Uni “ndërtuan një marrëdhënie shumë të mirë” dhe administrata e tij shpreson për një takim tjetër të nivelit të lartë.
Pozicioni i zotit Biden është se ai nuk do të takohej me udhëheqësin e Phenianit pa parakushte. Strategji e administratës Biden do të ishte përdorimi i presionit nëpëmjet sanksioneve për ta detyruar Kim Jong Unin të negociojë.
Afrika
Zoti Biden propozon anulimin e disa vendimeve të marra nga Presidenti Trump në fillim të mandatit të tij, për ndaluar udhëtimet nga disa vendeve me shumicë myslimane përfshirë Nigerinë, Sudanin dhe Somalinë. Zoti Trump u ka dalë në mbrojtje vendimeve duke e cilësuar si të nevojshme për sigurinë kombëtare. Të dy kandidatët kanë si pjesë të strategjisë së tyre lidhur me marrëdhëniet me kombet afrikane, nxitjen e zhvillimit ekonomik, si dhe bashkëpunimin me udhëheqësit e rinj të kontinentit dhe përfaqësuesit e diasporës.
Amerika Qendrore
Administrata e zotit Trump mbylli disa marrëveshje në 2019 me Guatemalën, El Salvadorin dhe Hondurasin sipas të cilave emigrantët së pari duhet të kërkojnë azil në këto vende, përpara se të udhëtojnë drejt kufirit ne SHBA-në. Nëse ata arrijnë në kufirin SHBA-Meksikë pa e bërë këtë gjë, do të kthehen mbrapsht. Këshilltari Stephen Miller tha se arritja e marrëveshjeve të ngjashme me kombet e tjera do të ishte një nga nga objektivat në rastin e një mandati të dytë të zotit Trump. Zoti Biden i ka kritikuar ato që ai i quan “politika të ashpra të migracionit nga ana e Trumpit e që kërkojnë të zhbëjnë ligjet amerikane të azilit e refugjatëve”. Ai thotë se do të rivendosë disa nga projektet e ndihmave në rajon në një përpjekje për t’u bërë presion qeverive për të zvogëluar numrin e emigrantëve që udhëtojnë drejt veriut. Nën administratën Trump, numri i refugjatëve të pranuar në Shtetet e Bashkuara nga e gjithë bota ka rënë nga rreth 85,000 në vitin e fundit të mandatit të Presidentit Barack Obama, në një kufi të përcaktuar prej 15,000 këtë vit. Departamenti i Shtetit thotë se kufiri i vendosur së fundmi është i nevojshëm për të garantuar “sigurinë dhe mirëqenien e amerikanëve, veçanërisht në dritën e pandemisë së COVID-19”. Zoti Biden është zotuar ta ndryshojë ndjeshëm qasjen në rast fitoreje të zgjedhjeve, duke e rritur kufirin në 125,000.
Përpjekjet shumëpalëshe
Vënia si përparësi e interesave amerikane nga zoti Trump ka çuar në heqjen dorë nga disa angazhime ndërkombëtare sikurse largimi nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, vendimi për të shkurtuar fondet për Organizatën Botërore të Shëndetësisë lidhur me mënyrën e trajtimit nga ana e saj të koronavirusit si dhe tërheqje nga marrëveshja tregtare e vendeve të Transpaqësorit. Zoti Biden ka mbështetur si marrëveshjen e Parisit ashtu edhe atë të Transpaqësorit gjatë periudhës që shërbente si Nënpresident. Në rast fitoreje në zgjedhjet e 3 nëntorit ai ka bërë të ditur se do të rivendoste lidhjet me këto organizma si dhe është angazhuar për të kontribuar sërish me fonde ndaj OBSH-së./VOA
Fraksion.com