Rama: Meta ka lidhje me Kushtetutën sa ç’ka lidhje me Topin e Artë futbollisti që mori pasaportë shqiptare ndërkohë që ishte nën akuzë
Kryeministri Edi Rama reagoi sot ndaj Presidentit të Republikës, Ilir Meta duke u shprehur se ai ka lidhje me Kushtetutën sa ç’ka lidhje me Topin e Artë ai futbollisti afrikan që mori pasaportën shqiptare për 8 orë nga Presidenti, ndërkohë që ishte nën akuzë në Shqipëri për falsifikim dokumentesh.
Rama thotë se të dy bashkë e kanë një lidhje, i kanë bërë gol me kokë drejtësisë.
“Ilir Meta ka lidhje me Kushtetutën sa ç’ka lidhje me Topin e Artë ai futbollisti afrikan që mori pasaportën shqiptare për 8 orë nga Iliri, ndërkohë që ishte nën akuzë në Shqipëri për falsifikim dokumentesh! Të dy bashkë po, e kanë një lidhje: I kanë bërë gol me kokë drejtësisë!”, tha Rama.
Ndaj kryeministrit Rama ka reaguar Tedi Blushi zëdhënësi i Presidentit të Republikës i cili tha se, “Rama e pranoi më në fund se ai është frymëzuesi dhe autori i vetëm i sulmeve antikombëtare kundër ekipit të KF Tirana, tifozëve të mrekullueshëm dhe komunitetit të nderuar autokton tironas, të cilësuar prej tij dhe portaleve të tij, si “terroristë”.
“Urrejtjen tënde për Tironën dhe ngjyrat bardhë e blu nuk ka për të ta amnistuar kush, bashkë me zullumet e tjera të tuat, për të cilat sigurisht do përgjigjesh një ditë”, u shpreh Blushi.
“Sa për pastërtinë e figurës së futbollistit të Tironës, pengu i mafies së inceneratorëve, i kapur tashmë në flagrancë, bën mirë të pyesë në institucionin e sigurisë kombëtare, që nëse na jep leje jemi gati ta publikojmë ne se çfarë thotë për “terroristin” bardhë e blu!”, theksoi Blushi.
Sipas medieve, futbollisti afrikan Winnful Essua Joseph Cobbina ka qenë i pandehur nga Prokuroria në kohën kur Presidenti Ilir Meta i dha nënshtetësinë shqiptare, në emër të interesit kombëtar dhe brenda disa orëve.
Fraksion.com