Në inçizime të fshehta, motra e Presidentit Trump thotë se ai “nuk ka parime”
Në inçizime të fshehta, përmbajtja e të cilave është bërë publike së fundmi, Maryanne Trump Barry, ish-gjykatëse apeli, kritikon ashpër vëllain e saj më të vogël, presidentin Donald Trump.
“Ai është interesuar vetëm të tërheqë bazën e tij”, thotë ajo në një bisedë të regjistruar fshehtazi nga mbesa e saj, Mary Trump e cila kohët e fundit ka botuar një libër ku dënon pikëpamjet e presidentit, të cilat i kishte vëzhguar në grumbullimet familjare ndër vite.
“Ai nuk ka asnjë parim. Asnjë”, thotë 83 vjeçarja Barry për të vëllanë, në inçizimet e fshehta të mbesës së saj, që përfshijnë 15 orë biseda.
Gazeta Washington Post që publikoi disa nga regjistrimet të shtunën në mbrëmje, shkruante se kishte kërkuar komente nga zonja Barry dhe nga zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë të premten dhe të shtunën. Gazeta njofton se nuk mori përgjigje.
Pasi “Washington Post” botoi artikullin me pikëpamjet e zonjës Barry për të vëllain, presidenti nxorri një deklaratë të shtunën:
“Çdo ditë del një gjë e re. Kush e çan kokën? Më mungon im vëlla dhe unë do të vazhdoj të punoj pa pushim për popullin amerikan. Jo të gjithë janë dakord, por rezultatet janë të dukshme. Vendi ynë shpejt do të jetë më i fortë se kurrë!”
Shefi i Personelit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows i minimizoi akuzat gjatë një interviste në televizionin Fox News të dielën, duke thënë: “Një ditë e re, një tjetër sulm politik”.
Regjistrimet e bëra publike i referoheshin një periudhe më të hershme të presidencës së zotit Trump, kur ai po ndërmerrte hapa për të frenuar hyrjen e mijëra imigrantëve pa dokumenta në Shtetet e Bashkuara nga Meksika dhe kur fëmijët e disa prej këtyre imigrantëve po ndaheshin nga prindërit.
“O zot, nëse dikush është besimtar, do që t’i ndihmojë njerëzit. Jo të veprojë kështu”, thotë zonja Barry.
Gjykatësja në pension thotë se ishte e skandalizuar nga mënyra se si po vepronte i vëllai në postin e presidentit.
“Postimet në Twitter … gënjeshtrat, o Zot! Po flas lirisht, por shtrembërimi i së vërtetës, mungesa e përgatitjes, gënjeshtrat!”, thotë ajo, duke përfunduar fjalinë më një sharje të papërshtatshme.
Ajo kritikoi “atë që ata po bënin me fëmijët në kufi” dhe arrin në përfunimin se i vëllai “nuk i kishte lexuar opinionet e saj për imigracionin” në çështjet para gjykatës.
Në një rast ajo kishte kritikuar një gjyqtar imigracioni se nuk e kishte trajtuar me respekt një aplikant për azil.
“Çfarë ka lexuar ai”, Mary Trump pyet hallën e vet për presidentin. “Jo. Ai nuk lexon”, u përgjigj Barry.
Në një segment tjetër të regjistrimit, zonja Barry i thotë mbesës:
“Është hipokrizia, hipokriza dhe mizoria. Donaldi është mizor.”
55 vjeçarja Mary Trump i tha gazetës Washington Post së fundmi, se xhaxhai i saj është i paaftë për të qenë president dhe se ajo do të bëjë “gjithçka që mundet” që të zgjidhet demokrati Joe Biden.
Mary Trump është e bija e vëllait të Presidentit Trump, Fred Trump Jr., i cili vdiq në vitin 1981 nga një sëmundje e lidhur me alkoolizmin, kur ajo ishte 16 vjeç. Në librin e saj “Me tepri dhe kurrë mjaftueshëm: Si krijoi familja ime njeriun më të rrezikshëm të botës”, ajo thotë se Donald Trump dhe babai i tij e kishin keqtrajtuar babanë e saj.
Një zëdhënës i zonjës Trump, Chris Bastardi, tha se ajo kishte filluar të regjistronte bisedat me zonjën Barry në vitin 2018, pasi kishte arritur në përfundimin se të afërmit e saj kishin gënjyer për vlerën e pasurive të familjes, dy dekada më herët, kur kishte vdekur Fred Trump Sr., i ati i presidentit.
Gjatë një beteje ligjore lidhur me trashëgiminë që i takonte asaj, fillimisht asaj do t’i jepej shumë më pak nga ç’priste, por mosmarrëveshja u zgjidh privartisht në vitin 2001./VOA
Fraksion.com