COVID-19; Italia ashpëson kufizimet
Për shkak të rritjes së rasteve të infektimit me COVID-19, qeveria italiane ka njoftuar mbylljen e të gjitha diskotekave. Po ashtu mbajtja e maskës do të jetë natën e detyrueshme në të gjitha vendet publike.
Shtrëngimi i masave lidhet me faktin se edhe në Itali janë infektuar kohët e fundit me virusin SARS-CoV-2 gjithnjë e më shumë të rinj. Po ashtu gjatë ditëve të kaluara ka pasur shumë njoftime për festime pa respektuar distancën dhe pa mbajtur maskat nga të rinjtë.
Ekspertë dhe politikanë kanë paralajmëruar se për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve rihapja e shkollave mund të jetë me rrezik. Viti shkollor planifikohet të fillojë më 14 shtator. Ministri Speranza shkroi në Facebook: “Ne nuk mund t’i zhbëjmë arritjet e muajve të fundit gjatë të cilëve hoqëm dorë nga shumë gjëra. Prioriteti ynë duhet të jetë rihapja e shkollave në kushte sigurie të plotë në muajin shtator.” Pronarët e diskotekave paralajmëruan për humbje në miliarda nëse ato mbyllen. Ndërkohë Kalabria i ka mbyllur të gjitha diskotekat si masë paraprake që të premten e kaluar.
Zyrtarisht Italia ka pasur rreth 254,000 infeksione me korona që nga shpërthimi i pandemisë në shkurt. Më shumë se 35,000 vetë kanë vdekur me ose nga COVID-19. Kjo e bën Italinë një nga vendet e prekur më rëndë nga pandemia e koronës në Evropë. Gjithësesi javët e fundit Italia ka raportuar një numër më të ulët infeksionesh të reja krahasuar me vendet e tjera të Evropës. Masat e ashpra disamujore të karantinës për shkak të koronës u hoqën në Itali më 3 qershor.
Në Itali kanë vdekur me ose nga COVID-19 më shumë se 35,000 vetë.
Fraksion.com