AktualitetTë fundit

Akademia e FA-së e hapur edhe për maturantët e viteve të shkuara, afat deri në 10 gusht për t’u regjistruar

Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka njoftoi sot se “Akademia e Forcave të Armatosura është e hapur edhe për maturantët e viteve të shkuara”.

“Të gjithë ata që kanë përfunduar shkollën e mesme në vitet e kaluara, por janë jo më shumë se 22 vjeç, kanë afat deri më datë 10 gusht 2020 për të aplikuar në www.ualbania.al, ku mund të zgjedhin Akademinë e Forcave të Armatosura si një ndër preferencat e tyre. Suksese elitës së ardhshme të FA-së”, u shpreh Xhaçka.

Pas vitesh ndërprerje, Akademia e Forcave të Armatosura rikthehet të funksionojë si institucion i arsimit të lartë dhe këtë vit do të hapë dyert për studentët që dëshirojnë të studiojnë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Objektivat kryesorë të Akademisë do të jenë Mbështetja e FA me burimet e mjaftueshme njerëzore, në përmbushje të detyrimit kushtetues për mbrojtjen dhe sigurinë kombëtare; përputhja e plotë e arsimimit ushtarak me sistemin e arsimit kombëtar dhe përafrimi me sistemin ushtarak të vendeve të NATO-s.

Burimi i rekrutimit do të jetë nga institucionet e arsimit parauniversitar, nëpërmjet Maturës Shtetërore, si për studentët që do të dërgohen në akademitë ushtarake jashtë vendit, ashtu edhe për ata që do të ndjekin Akademinë e FA.

Akademia e Forcave të Armatosura, e cila do të hapë dyert në Tetor të këtij viti,  u zyrtarizua si institucion i vetëm publik i arsimit të lartë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë kombëtare me Vendim të Këshillit të Ministrave.

 

Fraksion.com