AktualitetTë fundit

COVID-19: Dita e parë pa vdekje prej koronavirusit pas dy javësh

Ndërpritet seria e vdekjeve prej koronavirusit pas dy javësh me humbje të përditshme njerëzore. 83 persona kanë humbur jetën nga fillimi i muajit mars. Megjithatë mbeten të larta infektimet ditore dhe shtrimet e reja në spital.

“Situata në Spitalin Infektiv paraqitet serioze. Është rritur numri i të shtruarve dhe rëndohet situata shëndetësore e pacientëve në terarapi intensive. Aktualisht janë të shtruar 84 pacientë në spital, 11 pacientë janë në terapi intensive në gjendje serioze dhe 6 prej tyre janë të intubuar, në gjendje të rëndë” – tha sot Mirela Cami, Drejtore e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor.

Janë kryer 401 testime të reja për COVID-19 dhe janë konfirmuar 82 raste pozitive gjatë 24 orëve të fundit, nga të cilat 30 raste në Tiranë, 11 në Shkodër, 6 në Kukës, 5 në Elbasan dhe më pak në Bulqizë, Krujë, Berat, Malësi e Madhe.

Koronavirusi është i pranishëm edhe në Kavajë, Përmet, në Korçë, Pukë, Mirditë, Kamëz, Gjirokastër, Tepelenë dhe Dibër.

Qytetet më shumë të prekura janë Tirana, Shkodra, Kruja dhe Durrësi, ku gjenden shumica e 1 mijë e 273 të infektuarve aktivë me COVID-19.

Nga rreth 31 mijë teste gjithsej qysh prej muajit shkurt janë zbuluar mbi 3 mijë e 100 persona të infektuar nga koronavirusi.

 

Fraksion.com