“U rindërtua nga themelet”; Kryeministri Rama viziton qendrën e re shëndetësore të Krujës
Rama theksoi se ky investim është një tjetër shembull kuptimplotë i ringritjes së sistemit shëndetësor mbi gërmadhat e trashëguara të keqqeverisjes së shëndetësisë për dekada me radhë.
“Në qendrën e re shëndetësore të qytetit, rindërtuar nga themelet me standardet më të mira mbi rrënojën e pashembullt që fyente dinjitetin e qytetarëve krutanë e të bluzave të bardha; një tjetër shembull kuptimplotë i ringritjes së sistemit shëndetësor mbi gërmadhat e trashëguara të keqqeverisjes së shëndetësisë për dekada me radhë. Puna vijon me rindërtimin e spitalit të Krujës, sipas modelit më të mirë të spitaleve bashkiake, pas dëmtimit nga tërmeti i 26 Nëntorit”, deklaroi Kryeministri
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu informoi se qendra është rehabilituar sipas standardeve më të mira. Sipas saj, kjo është qendra e 180 që po rindërtohet në kuadër të programit për ndërtimin dhe rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore. Këtë vit, tha Manastirliu ka nisur puna për rindërtimin e 120 qendrave shëndetësore.
Po ashtu, ajo bëri të ditur se do të nisë edhe rindërtimi i qendrave shëndetësore dhe spitaleve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
“E kemi qendrën e 180-të, pjesë e programit për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore. Këtë vit kemi filluar edhe rehabilitimin e 120 qendrave shëndetësore. Do të vijojmë me programin e rehabilitimit jo vetëm në aspektet e infrastrukturës, por edhe në aspektin e trajnimit të personelit shëndetësor”, bëri të ditur ministrja.
Ministrja u shpreh se qendrat shëndetësore janë duke bërë një punë shumë të mirë edhe në raport me ndjekjen e rasteve të të prekurve me COVID-19.
“Kruja ka qenë vatër e infeksionit. Mjekët e familjes janë duke bërë një punë shumë të madhe të rasteve për ndjekjen e rasteve me COVID-19, të cilët janë me simptoma të moderuara, të lehta apo asimptomatikët duke operuar me të gjitha strukturat e shërbimit shëndetësor dhe Urgjencën Kombëtare. Por mjeku i familjes përmes protokolleve që kemi miratuar dhe sistemit elektronik në kohë reale janë në gjendje të shikojnë ku janë të sëmurët e t’i ndjekin ata”, tha Manastirliu.
Ministrja po ashtu vuri në dukje se do të rifillojë edhe shërbimi i kontrollit mjekësor bazë.
“Do të fillojmë ta rimarrim këtë program pasi kërkohet shumë edhe nga pacientët por edhe nga mjekët. Sigurisht mbi masat e sigurisë. I gjithë personeli i shërbimit parësor është i pajisur me mjetet mbrojtëse si maskat apo dorezat.
Duke zbatuar protokollet do të mundemi të çlirojmë edhe shërbimet që janë shumë të rëndësishëm si ai i kontrollit mjekësor bazë.
Fraksion.com