AktualitetBota+Të fundit

Johnsonit i kërkohet të formojë grup punues për Hong Kongun

Shtatë ish-ministra të Jashtëm britanikë kërkuan nga kryeministri Boris Johnson të formojë një grup global të monitorimit për Hong Kongun, në përgjigje të kontrollit në rritje të Kinës.

Pekini ka shkaktuar alarm te fuqitë perëndimore, pasi ka miratuar një ligj të sigurisë kombëtare për rajonin gjysmë-autonom të Hong Kongut.

Kina ka thënë se ligji, i cili e anashkalon legjislaturën e Hong Kongut, është i nevojshëm për të luftuar “terrorizmin dhe separatizmin” atje.

Vitin e kaluar, për shtatë muaj, në Hong Kong ka pasur protesta – shpesh të dhunshme – kundër regjimit kinez.

Kundërshtarët druajnë se ligji i ri do të shfrytëzohet për të shtypur disidentët dhe se do të godasë rëndë autonominë e ish-kolonisë britanike.

Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Kanadaja kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët, duke e kritikuar rolin e Pekinit, por ish-ministrat e Jashtëm britanikë i bënë thirrje Johnsonit që të marrë një rol më aktiv.

“Mbretëria e Bashkuar duhet të shihet duke udhëhequr dhe bashkërenduar reagimin ndërkombëtar ndaj krizës”, tha grupi i ish-diplomatëve në një letër të bërë publike të hënën.

Letra u nënshkrua nga: Malcolm Rifkind, Margaret Beckett, William Hague, Jeremy Hunt, David Miliband, David Owen dhe Jack Straw.

Ata i bënë thirrje Johnsonit që të kontaktojë edhe anëtarët e tjerë të G7-ës, apo grupit të vendeve më të industrializuara, dhe “të krijojë zyrtarisht një grup ndërkombëtar të kontaktit në konsultim me partnerët ndërkombëtarë, të monitorojë situatën në Hong Kong dhe të koordinojë veprimet e përbashkëta”.

Grupi i punës mund të modelohet në formën e organizatës që është krijuar nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia, për t’iu përgjigjur krizës në Ballkan në fillim të viteve 1990, sugjeruan ata.

Hong Kongu, qysh në vitin 1997, është pjesë e Kinës në bazë të politikës “një shtet, dy sisteme”.

Ai ka disa të drejta që nuk i gëzon pjesa tjetër e territorit kinez, por protestuesit ankohen se ato po kufizohen gjithnjë e më shumë nga regjimi në Pekin.

 

Fraksion.com