Grenell paralajmëron heqjen e taksës dhe reciprocitetit
I dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se sapo të hiqen masat e tarifave dhe reciprocitetit “dialogu do të fillojë seriozisht”.
Sipas Grenellit heqja e këtyre masave mbase mund të ndodhë “këtë javë”.
“Kam folur me liderët në Serbi dhe Kosovë për ta bërë të qartë se ata duhet të fillojnë të krijojnë besim sot në përgatitje të tij dhe ata janë të përkushtuar për ta bërë këtë gjë”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.
Once tariffs/reciprocity are dropped (maybe this week?), then Dialogue begins in earnest. I’ve spoken with leaders in Serbia and Kosovo to make clear they must start building confidence today in preparation – and they’ve committed to do so. More to come soon. https://t.co/0DETVaMMPp
— Richard Grenell (@RichardGrenell) April 19, 2020
Reagimi i tij ka ardhur pasi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se javën e ardhshme do të ndërmarrë të gjithë hapat kushtetutes për të mundësuar formimin e qeverisë së re “me legjitimitet të plotë nga parlamenti, që do të luftojë sëmundjen Covid-19 dhe do t’iu shërbejë qytetarëve”.
“Tarifat dhe reciprociteti duhen të hiqen në mënyrë që të forcohet mbështetja e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për Kosovën”.
Marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA-në kanë qenë një prej arsyeve të inicimit të mocionit të mosbesimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kundër Qeverisë tashmë në detyrë të Kosovës.
Presidenti Thaçi i ka kërkuar disa herë Lëvizjes Vetëvendosje emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re, mirëpo kryeministri në detyrë Albin Kurti, njëherësh kryetar i kësaj Lëvizjeje ka thënë se kjo çështje nuk është tani prioritet.
Përveç kësaj, ai ka kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja, pasi të kalojë pandemia me koronavirus.
Më 1 prill Kurti ka hequr tarifën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, derisa masën ndaj mallrave serbe e ka zëvendësuar me reciprocitet.
Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar vënien e të dyja masave ndaj mallrave serbe, duke thënë se ato dëmtojnë ekonominë e Kosovës.
Taksa 100 për qind ishte vënë nga qeveria e kaluar në nëntor të vitit 2018.
Që nga ajo kohë është pezulluar dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.
Ky proces ka nisur më 2011./rel
Fraksion.com