AktualitetRajoniTë fundit

Italia raporton 431 vdekje të reja nga COVID-19

Italia ka raportuar 431 vdekje të reja nga koronavirusi i ri (COVID-19), rritje më e ulët e viktimave në tre javë, me çka numri i përgjithshëm i vdekjeve në vend nga ky virus ka arritur në 19.899.

Krahasuar me një ditë më parë, rastet e konfirmuara në 24 orët e fundit u rritën me 2 për qind, duke arritur në 102.253 dhe duke treguar një stabilizim të vazhdueshëm të kurbës së infeksionit.

Numri i personave të shëruar po ashtu vazhdoi të rritet duke arritur në 34.211, ndërsa numri i pacientëve që trajtohen në kujdes intensiv ra për të nëntën ditë me radhë.

Epiqendra e shpërthimit në Itali mbetet rajoni verior i Lombardisë, i cili deri më tani numëron 10.621 viktima, më shumë se gjysma e numrit të përgjithshëm të viktimave.

Pavarësisht presioneve në rritje për të filluar me heqjen e disa prej masave të rrepta, të paktën për bizneset në vështirësi të Italisë, kryeministri Giuseppe Conte dje njoftoi zgjatjen e bllokimit pothuajse të plotë deri më 3 maj.

Rregullat e rrepta të bllokimit për bizneset dhe qytetarët do të mbeten, me vetëm disa përjashtime që përfshijnë libraritë dhe dyqanet me rroba për fëmijë, të cilëve do t’u lejohet të hapen nga 14 prilli.

Conte tha se këshilltarët shkencorë të qeverisë kanë konfirmuar se rritja e rasteve të konfirmuara me koronavirus në Itali është ngadalësuar, megjithatë duke paralajmëruar se rreziqet mbeten të larta dhe se rregullat nuk mund të lehtësohen, veçanërisht gjatë festës së Pashkëve.

Megjithatë, kryeministri theksoi se qeveria tashmë po planifikon si të trajtojë të ashtuquajturën “faza e dytë” pas urgjencës, e cila do të ndihmojë qytetarët italianë dhe bizneset në rimëkëmbjen e tyre.

Për këtë qëllim, qeveria italiane ka krijuar një task forcë të posaçme, përfshirë sociologë, ekonomistë dhe drejtues biznesi, të udhëhequr nga ish-shefi ekzekutiv i Vodafone, Vittorio Colao.

Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, virusi COVID-19 është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi.

Bazuar në të dhënat nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka tejkaluar shifrën 1.8 milionë, me pothuajse 111 mijë vdekje dhe mbi 412 mijë të shëruar.

 

Fraksion.com