Prof. Hoyer: Kush ka frikë tani është i ndershëm
Bota në gjendje të jashtëzakonshme për shkak të Coronës. Njerëzit i hedhin sytë me shqetësim nga e ardhmja. Të kesh frikë tani është e natyrshme, thotë psikoterapisti, Jürgen Hoyer që edhe karantinën e sheh si një shans.
Jürgen Hoyer: Frika e drejton vëmendjen e njeriut tek rreziku. Pra është e natyrshme që njerëzit tani kanë frikë. Kësaj i shtohet një frikë difuze, e papërcaktuar qartë, sepse nuk e dimë si do të vazhdojë gjendja. Një frikë genuine e njeriut është frika nga e panjohura. Ne nuk e dimë, se sa kohë do të zgjasë kjo, se cilat do jenë pasojat, që do të sjellë kriza. Pra është ajo ndjenja e pafuqisë që na bren, kur nuk kemi më kontrollin si njeri. Kjo sjell më shumë frikë.
Si të veprosh që ta përballosh frikën në raste krizash?
Nuk ka ndonjë truk që e heq si me magji këtë emocion, sepse kjo do të thotë, që të mohosh realitetin. Kush ka frikë tani, thjesht është i ndershëm. Mënyra më e mirë është të thuash: frikën e kam, më vërdalliset një lëmsh, po çfarë do të thotë kjo konkretisht? Sepse frika ka të njëjtën ecuri si emocionet e tjera: vijnë dhe ikin sërish. Në javët e ardhshme nuk do të kalojë asnjë ditë, në të cilën nuk do ketë shqetësime, se si do të kalojë kjo situatë me Coronën e si do të jetë gjendja pas kësaj. Pasojat nuk dihen – gjërat nuk do të jenë më si më parë. Natyrisht që në një situatë të tillë je i shqetësuar.
Por dikur vëmendja automatikisht drejtohet tek gjëra të tjera. Në fund të fundit bota nuk po fundoset. Natyra është aty, shtëpia, makina. Absolutisht që ka një rrezik – por ai nuk rrezikon gjithçka e çdo gjë, por aspekte të caktuara të jetës.
Përditë ka raste vdekjeje për shkak të sëmundjes së mushkërive të shkaktuar nga Corona. Mendimet vërtiten rreth vdekjes këto kohë. Një temë e vështirë për të biseduar apo jo?
Njerëzit që bëjnë pjesë në grupet e rrezikut duhet të kenë kujdes, që të mos infektohen. Personat në moshë të madhe për shkak të mosfunksionimit si duhet të sistemit imunitar dhe organave kanë një rrezik më të madh për të ndërruar jetë. Të afërmit nuk duan që ta përjetojnë këtë dhe për këtë vërtet, që mund të bisedohet. Vdekjes si temë vërtet që njerëzit i ikin dhe ajo trajtohet si tabu. Por askush nuk ka vdekur, se ka vrarë mendjen për vdekjen.
Shumë vetë tani punojnë nga shtëpia, dhe kanë reduktuar kontaktet sociael, për të ngadalësuar përhapjen e virusit. Cilat rekomandime keni ju që distanca sociale dhe karantina të mos kthehen në shkatërruese për njeriun?
Ky është një shans për të improvizuar dhe për të qenë kreativë. Duhet të reflektosh, se cilat punë vërtet kanë kuptim këto kohë. Ajo që mund të bëhet tani është sporti. Edhe në karantinë mund të bësh lëvizje. Kush ka dëshirë të lexojë apo të studiojë gjëra të ndryshme mund ta bëjë këtë tani. Interneti funksioni, me smartphone mund të mbash kontaktet me njerëzit. Ka shumë gjëra të tjera që mund të bësh, jo vetëm të shohësh serialë para televizorit. Gjërat që nuk i ke kryer në të shkuarën mund t’i bësh këto kohë. Karantina është moment i mirë psh. për të bërë deklarimin fiskal.
A mundet që një pandemi si Corona të shkaktojë edhe probleme psikologjike?
Frika afatshkurtër nuk ka pasoja në shëndetin e njeriut. Por reduktimi i aktiviteteve fizike apo të aktiviteteve të tjera janë të dëmshme për njerëzit që kanë një tendencë depresive apo një tendencë melankolie, mbylljeje në vetvete, apatie apo humbjen e interesit. Për këta njerëz ky izolim nuk është i mirë. Edhe këtu vlen ajo që thashë më parë. Mundësisht qëndroni sa më aktivë. Edhe brenda katër mureve ka shumë gjëra të mira që mund të bëhen. Më e bukura në jetë është një bisedë e mirë, dhe kjo mund të bëhet në çdo kohë edhe në karantinë./DW
Prof. Dr. Jürgen Hoyer është profesor i psikoterapisë në Universitetin Teknik të Drezdenit. Në fokus të studimeve të tij janë psikoza e frikës dhe depresioni.
Fraksion.com