AktualitetBota+Të fundit

Ndroi jetë Javier Pérez de Cuéllar ; Burrë shteti me ndikim të madh në botë

Javier Perez de Cuellar, Sekretari i pestë i Përgjithshëm i OKB, i vlerësuar për nxitjen e dialogut dhe drejtimin e suksesshëm të organizatës në kohëra turbulente, ndërroi jetë në moshën 100-vjeçare.

 Javier Perez de Cuéllar, diplomati me përvojë të gjatë, avokat dhe profesor, ishte amerikano-latini i parë që mbajti postin në krye të organizatës botërore. Në një deklaratë të bërë ditën e mërkurë, shefi aktual i OKB, Antonio Guterres shprehu pikëllimin për vdekjen e de Cuéllar duke e vlerësuar atë si “burrë shteti dhe diplomat të angazhuar, me ndikim të madh në Kombet e Bashkuara dhe në botë.”

 I lindur në Lima të Perusë më 19 janar 1920, de Cuéllar u vendos në krye të OKB pasi kishte 42 vjet në shërbimin diplomatik. Pérez de Cuéllar mori pjesë që në mbledhjen e parë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, në vitin 1946. Gjatë karrierës së tij ai pati qenë ambasador i vendit të tij në Zvicër, Bashkimin Sovjetik, Poloni, Venezuelë, minister i jashtëm, dhe përfaqësuesi i përhershëm pranë OKB. Duke drejtuar Këshillin e Sigurimit në korrik 1974, ai manaxhoi krizën në Qipro. Një vit më vonë, u emërua përfaqësues special në Qipro, post që e mbajti për dy vjet. Pérez de Cuéllar ka qenë përfaqësues i përhershëm në Afganistan dhe shef për çështjet politike të OKB.

Javier Pérez de Cuéllar und Mutter Teresa (picture-alliance/Photoshot)Javier Pérez de Cuéllar dhe Nënë Tereza

Lufta e ftohtë dhe rritja e rolit të OKB

Antonio Guterres thotë se Pérez de Cuéllar drejtoi OKB në vitet më të këqija të luftës së ftohtë dhe gjatë konfrontimeve ideologjike, në një kohë kur OKB filloi të luajë më shumë rolin që duhet të luante, sipas ideve të atyre që e patën krijuar.

Emërimi i tij më 1982 në krye të OKB, filloi me negociatat midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Argjentinës për Ishujt Falkland. Ai qëndroi dy mandate në krye të organizatës, duke luajtur rol qëndror në një numër të konsiderueshëm çështjesh diplomatike, përfshirë pavarësinë e Namibisë, dhënien fund të luftës Iran-Irak, lirimin e ushtarëve amerikanë mbajtur peng në Liban, marrëveshjen e paqes në Kamboxhia dhe, marrëveshjen e paqes në El Salvador. Mandati i dytë shënoi largimin e trupave sovjetike nga Afganistani. Ekipi i tij arriti të krijonte stabilitet politik në Nikaragua.

Në vitin 1987 Pérez de Cuéllar morri Çmimin Asturia, për nxitjen e bashkëpunimit ibero-amerikan, në vitin 1989 morri Çmimin Olof Palme, për mirëkuptimin ndërkombëtar dhe Çmimin Jawaharlal Nehru. Po ashtu për mirëkuptimin ndërkombëtar. Pérez de Cuéllar është dekoruar nga 25 vende. Edhe mbas përfundimit të mandatit në krye të organizatës, më 1991, ai i qëndroi besnik vlerave të OKB dhe vazhdoi të punën për mbrojtjen e paqes, drejtësisë, të drejtave të njeriut.

Bildergalerie Debatte Nachhaltigkeit Rio (AP)Javier Perez de Cuellar, Gro Harlem Brunddland, kryetare e Komisionit botëror për ambientin dhe zhvillimin, Edouard Saouma, shef i FAO

Pérez de Cuéllar në Shqipëri

Në vitin 1990, Pérez de Cuéllar, vizitoi Shqipërinë duke qenë kështu i pari shef i organizatës që vizitoi vendin e izoluar komunist. Gjatë një udhëtimi të kryer në maj të 1990, në disa vende të Europës qëndrore, si Austri, Hungari, Çekosllovaki, Perez qëndroi më 11 maj në Tiranë, ku u takua me përfaqësuesit më të lartë të vendit të anëtarësuar në OKB që më dhjetor 1955. Në një nga dokumentat e OKB, bëhet fjalë për takimin kokë më kokë të Sekretarit të Përgjithshëm Pérez de Cuéllar me ministrin e Jashtëm të Shqipërisë në atë kohë, Reis Malile. Sipas dokumentit,  Pérez de Cuéllar shprehu kënaqësinë që ndodhej në Shqipëri „një vend që ka nisur vetë një proces gradual“ dhe shpjegoi synimet kryesore të OKB në prag të fillimit të një mijëvjeçari të ri. Disa javë më vonë shqiptarët mësynë në ambasadat e huaja në Tiranë, duke i dhënë kështu të çarën e parë sistemit të ngurtë dogmatik, të mbajtur me forcë për 40 vjet. Gjatë takimit të tij, u diskutua për hapjen e një zyre të PNUD, programit për zhvillim të Kombeve të Bashkuara./DW

 

Fraksion.com