Meng Wanzhou është e pazëvendësueshme, thotë shefi për siguri i Huaweit
Shefi për siguri i gjigantit kinez, Huawei, Andy Purdy i ka thënë BBC-së, se shefja financiare e kompanisë, Meng Wanzhou “është e pazëvendësueshme”.
Wanzhou është duke luftuar ekstradimin nga Kanadaja në Shtetet e Bashkuara, për t’u përballur me akuza për mashtrim dhe shkelje të sanksioneve.
Mirëpo shefi i sigurisë, Purdy, i ka thënë BBC-së, se ndonëse Meng ka rol tejet të rëndësishëm në Huawei, tashmë ka plan për gjetjen e pasardhësit të saj.
Para se të arrestohej, Meng ka qenë figurë kyçe në përpjekjet e Huaweit për të avancuar gjeneratën e pestë të komunikimeve (5G), e cila synon të rrisë shpejtësinë e qasjes në internet në gjithë botën.
Nisja e procesit për ekstradimin e saj vjen në kohën kur Huawei është duke sfiduar përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të bllokuar këtë kompani në zhvillimin e sistemit 5G.
SHBA-ja ka thënë se kjo kompani përbën rrezik për sigurinë dhe ka ndaluar shitjen e produkteve të saj.
Politikanët amerikanë janë duke shtyrë aleatët në Britani të Madhe, Gjermani dhe Kore Jugore për të bllokuar Huawein nga tregjet e tyre.
Përndryshe Meng është arrestuar në dhjetor të vitit 2018 sa ishte në Vankuver. Ajo akuzohet nga autoritetet amerikane se ka gënjyer bankat në mënyrë që t’iu shmanget sanksioneve amerikane ndaj Iranit.
Ajo megjithatë ka mohuar të gjitha akuzat.
Kompania Huawei ka thënë se beson që sistemi gjyqësor i Kanadasë “do të vërtetojë pafajësinë e Mengut”.
Fraksion.com