Gjermania partner strategjik, mbështetje në sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare
Gjermania mbetet një partner strategjik që prej vitesh është burim lidershipi në rajon dhe nxitëse e proceseve integruese. Kështu deklaroi në fjalën e saj ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, gjatë pritjes së përvitshme të zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Tiranë në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë.
“Qëllimet kryesore të bashkëpunimit shqiptaro- gjerman janë zhvillimi dhe përmirësimi në vend i kushteve të jetesës së njerëzve, bizneseve dhe përafrimi i standardeve me ato të Bashkimit Europian”, – theksoi Denaj. Ministrja Denaj vlerësoi mbështetjen dhe financimin gjerman në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, nga ai energjetik, ujërat dhe kanalizimet, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, shkollat e formimit profesional, në përshtatjen e legjislacionit shqiptar me atë europian, etj.
“Bashkëpunimi ndërinstitucional është shumë i rëndësishëm në fushën e hartimit të politikave të zhvillimit ekonomik, për të përfituar nga përvoja gjermane dhe për të ndërtuar edhe më shumë atë që është e rëndësishme në një ekonomi dhe SME-të, sikurse inovacioni dhe konkurrueshmëria, nxitja e sektorëve strategjikë dhe promovimi i investimeve të huaja”, – nënvizoi Denaj. Ministrja Denaj tha se “nismat dhe reformat e ndërmarra nga qeveria për të rritur këto standarde gjatë këtyre viteve kanë qenë të shumta për të nxitur novacion dhe për të lehtësuar të bërit biznes, të tilla si: fiskalizimi, shërbimet online, dogana pa letra, etj”. Denaj shprehu angazhimin për të sjellë më të mirën e biznesit shqiptar dhe gjerman.